Haziri akuzon LVV-në për joshje individuale të deputetëve të LDK-së: Nuk ka stabilitet pa marrëveshje politike
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka deklaruar se koalicioni i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), së bashku me Listën Guxo dhe Alternativën, ka kontaktuar më shumë se dy deputetë të LDK-së për t’i bindur që t’i bashkohen kësaj shumice të mundshme. Sipas tij, këto përpjekje individuale janë të dështuara dhe joefektive pa një marrëveshje të mirëfilltë politike.
Këto komente Haziri i bëri pas dështimit për të 21-tën herë me radhë të konstituivit të Kuvendit të Kosovës duke e cilësuar këtë situatë si të bllokuar dhe të pajustifikueshme politikisht.
“Ka veprime por me deputetë individualisht. Kjo nuk e bën të besueshme një marrëveshje politike. Është legjitime që partia e parë të provojë t’i bindë deputetët përmes ofertave, transaksioneve dhe joshjeve politike, por kjo nuk krijon stabilitet. Duhet të kuptojë partia e parë se pa një marrëveshje politike, nuk ka as stabilitet dhe as zhbllokim të situatës,” deklaroi Haziri.
Ai po ashtu konfirmoi kontaktet e bëra me deputetë të LDK-së duke theksuar se, pavarësisht përpjekjeve të koalicionit fitues, partia që ai përfaqëson është e unifikuar dhe vepron si një trup politik i bashkuar.
“Janë kontaktuar më shumë se dy deputetë të LDK-së, por edhe ata takime janë zbardhur vetë nga të përfshirët. Kjo nënkupton që LDK është unike, ne veprojmë bashkë politikisht dhe jemi të interesuar t’i japim oksigjen politik kësaj situate. Kemi ofruar një zgjidhje përmes një qeverie kalimtare, nuk ka rrugë tjetër,” tha Haziri.
Ai përfundoi duke shprehur bindjen se racionaliteti politik do të triumfojë dhe do të çojë drejt një marrëveshjeje që do të formojë një shumicë të qëndrueshme duke i dhënë fund kësaj bllokade institucionale. /Kosova.info/
