Haxhiu kritikon Avokatin e Popullit: Reagim i padrejtë dhe selektiv për Listën Serbe
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar ashpër ndaj deklarimit të Institucionit të Avokatit të Popullit (IAP) lidhur me moscertifikimin e Listës Serbe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ajo e ka cilësuar reagimin e IAP-së si të padrejtë, të çuditshëm dhe në kundërshtim me parimet që ky institucion duhet t’i mbrojë.
Sipas Haxhiut, është e pakuptimtë që Avokati i Popullit të shprehë shqetësim për një subjekt politik që, siç thotë ajo, “lufton rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, nuk e njeh shtetin, ka pasur nënkryetar kryekriminelin Radojçiq dhe nuk është distancuar as nga akti terrorist në Banjskë, madje ka mbajtur tri ditë zie për terroristët e vrarë”.
Ajo shtoi se IAP nuk ka reaguar asnjëherë me të njëjtin zell ndaj “tendencave dhe vendimeve që po vështirësojnë votimin e mërgatës sonë” duke e akuzuar institucionin për standarde të dyfishta dhe selektivitet.
Haxhiu theksoi se vendimi i KQZ-së nuk është i drejtuar kundër subjekteve apo qytetarëve serbë, pasi disa subjekte serbe tashmë janë certifikuar. Sipas saj, arsyet e moscertifikimit të Listës Serbe janë të njohura dhe plotësisht të justifikuara.
“Ky lloj selektiviteti bie ndesh me parimet e transparencës dhe paanshmërisë që Avokati i Popullit duhet t’i mbrojë”, përfundoi Haxhiu. /Kosova.info/
