Haxhiu: Klubi i Stërvjetëruar Politik pamundësoi Kurtin 3, por VV-në nuk do ta thyeni kurrë

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas dështimit të votimit për formimin e Qeverisë së re duke e quajtur këtë një përsëritje të ngjarjeve të 25 marsit 2020, kur ishte rrëzuar Qeveria Kurti 1.

“Fytyra të para, qeshje të njohura. Dita e sotme, 26 tetor 2025, ma kujtoi 25 marsin 2020. Atëherë të gjithë këta bashkë po na rrëzonin, sot nuk mundësuan ngritjen e Qeverisë së re. Asokohe rrëzonin Kurtin 1, sot pamundësuan Kurtin 3,” shkroi Haxhiu.

Ajo theksoi se “Klubi i Stërvjetëruar Politik” në Kuvend ka pamundësuar votimin e “njeriut që populli e ka votuar më së shumti në historinë e Kosovës” duke shtuar se Lista Serbe, si gjithmonë, ishte pranë tyre.

Sipas saj, kjo situatë është vetëm e përkohshme. “Shpesh, të njëjtit kanë menduar se e kanë mposhtur përfundimisht VV-në e Albin Kurtit, por dihet ku jemi ne e ku janë ata. Do të kthehemi sërish, me popullin në krah dhe me parimet e pathyeshme,” deklaroi ajo.

Në reagimin e saj, Haxhiu u shpreh se “ata që nuk marrin mbështetje nga populli, nuk mund të shantazhojnë me numra” dhe se “Republika nuk do të punojë për grupet e interesit, por për qytetarët pa dallim”.

“Matematikat e tyre nuk do të mund ta mposhtin vullnetin tonë politik. Beteja jonë për një Kosovë me dinjitet, pa krim e pa korrupsion, vazhdon. Edhe më fuqishëm,” përfundoi Haxhiu. /Kosova.info/


Go to TOP