Haxhiu dekoron komandant Adem Shehin me “Urdhrin e Lirisë”
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka dekoruar komandant Adem Shehin me “Urdhrin e Lirisë” në Ditën e Çlirimit duke vlerësuar kontributin e tij në luftën për lirinë e Kosovës.
Haxhiu tha se Adem Shehi, me prejardhje nga Farka e Tiranës, iu bashkua Kosovës në një kohë kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte nevojë për profesionistë që të ndihmonin në organizimin dhe përgatitjen e forcave çlirimtare.
Sipas saj, para se të angazhohej drejtpërdrejt në luftë, Shehi kontribuoi në organizimin dhe stërvitjen e qindra vullnetarëve dhe ushtarëve të UÇK-së. Më pas, si komandant i Brigadës 153 “Hyzri Talla” në Zonën Operative të Llapit, ai luajti rol të rëndësishëm në forcimin e njësive që vepruan në rajonin e Llapit dhe Gollakut.
“Ky nderim është për shërbimin e tij, për dijen e vënë në punë, për rrezikun e marrë mbi vete dhe për atë rreshtim shqiptar që në orët e vështira i doli zot Kosovës”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo shprehu mirënjohje për komandant Adem Shehin dhe për të gjithë vullnetarët e oficerët nga Shqipëria që kontribuuan me dije, përvojë dhe sakrificë në luftën çlirimtare të Kosovës. /Kosova.info/
