Haxhiu bën thirrje të votohet tërheqja e kursimeve nga Trusti: Qeveria po bën presion te deputetët

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, i ka bërë thirrje edhe njëherë deputetëve të pozitës dhe atyre të opozitës që ta përkrahim ndryshimin e Projektligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale, në mënyrë që të lejohet tërheqja e 30 për qind të mjeteve nga Trusti.

Në një konferencë për media të mbajtur të mërkurën, Haxhiu ka thënë se qytetarët janë duke u përballur me krizë të vazhdueshme, nga ajo energjetike deri te ajo ekonomike e inflacionit.

Ai ka thënë se të enjten bëhen 100 ditë prej kur PDK-ja ka inicuar plotësim-ndryshimin e këtij projektligji dhe sipas tij, Qeveria po e vonon këtë proces në mënyrë që të ushtrojë presion mbi deputetët.

“Në emër të PDK-së, i ftoj të gjithë deputetët pa dallim – pozitë dhe opozitë – që të mbështesin Projektligjin për Trustin”, ka deklaruar Haxhiu.

“E kam thënë edhe më parë që Projektligji për Trustin është shtyrë për të iu bërë presion deputetëve. Kam biseduar me shumicën e deputetëve të LVV-së të cilët kanë qenë të gatshëm ta votojnë projektligjin, por atyre iu është bërë presion nga Qeveria”. 

Go to TOP