Hasani: Mësimdhënia, mision fisnik
Sot shënohet 7 Marsi – Dita e Mësuesit, në nderim të mësimdhënësve e në shenjë përkujtimi të themelimit të mësonjëtores së parë shqipe në Korçë më 7 mars 1887.
Blerta Hasani, mësuese, në “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK theksoi se “të jesh mësuese është diçka hyjnore, e shenjtë”.
“Mësimdhënia, – tha ajo, – është mision fisnik, pasi ke të bësh me krijesën më të mirë, sidomos me ciklin prej klasës së parë deri në klasën e pestë, ku fëmijët kopjojnë gjithçka, marrin gjithçka nga ju dhe çdo punë e jona, çdo angazhim për ta, është shembull i tyre dhe tek ata ngulitet çdo fjalë e jona e sjellje dhe lë gjurmë në të ardhmen”.
Kurse Arieta Bajrami, mësuese, tha se profesionin e mësuesisë e ka trashëguar. “Unë rrjedh nga një familje mësimdhënësish. Ka qenë në familje ai ndikim, që shihja duke shpjeguar për shkencë, për libra. Në shtëpinë tonë më shumë ka pasur libra se fotografi e lojëra”, tha ajo.
Të dyja mësueset treguan për vështirësitë dhe sfidat që hasin në profesionin e mësimdhënësit.
“Të jesh mësimdhënës i mirë është sfidë. Profesioni është shumë sfidues. Nuk e përfundon orarin e punës kurrë, sepse merr detyra me vete, teste, ide të reja për t’u përgatitur për nesër, se s’mund të dalësh para atyre fytyrave engjëllore me duar në xhepa dhe të thuash lexoni. Ka kaluar ajo kohë. Për pesë orë nxënësit duhet të jenë aktivë. Vetëm ai që është mësimdhënës e di sa e vështirë është kjo punë, njëkohësisht sa e mrekullueshme”, tha Bajrami.
Ndërkaq Hasani tha se fëmijët tash kanë njohuri, por zakonisht ato i kanë vetëm në një fushë që iu pëlqen. “Të nxënit tash ka ndryshuar. Përmes perceptimit mëson më shumë, por ka fëmijë që mësojnë më shumë përmes dëgjimit, anës vizuale”, tha Hasani.
