Haradinaj nga Prekazi: Prej këtij vendi nisemi më të fortë për të gjitha sfidat

Me rastin e shënimit të 25-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Haradinaj ka thënë se familja Jashari dha gjithçka që ishte e tyre për gjithçka çfarë kemi ne sot.

“Historisë së Kosovës së lirë dhe të pavarur, i dha vulë sakrifica sublime e familjes Jashari në krye me Komandantin legjendar, Adem Jashari. Ata dhanë gjithçka që ishte e tyre, për gjithçka çfarë kemi ne sot. Familja Jashari do të jetë përjetësisht e nderuar dhe frymëzimi më i madh i dashurisë për kombin”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka shtuar se Epopeja e UÇK-së është e skalitur me emrat e heronjve, dëshmorëve e martirëve tanë.

“Epopeja e UÇK-së, si ngjarja më kulmore e historisë sonë kombëtare është e skalitur me emrat e heronjve, dëshmorëve e martirëve tanë. Përulemi përjetësisht para veprës së familjes Jashari dhe gjithë brezave që u flijuan për liri”, ka përfunduar Haradinaj. /Kosova.info/

Go to TOP