Hamza: Qeveria e re duhet të krijohet pa vonesa
Kandidati i PDK-së për kryeministër në zgjedhjet e 9 shkurtit, Bedri Hamza, ka kërkuar që Qeveria e re të krijohet pa vonesa.
Ai në një postim në Facebook tha se procesi zgjedhor po shkon drejt fundit dhe ditëve të ardhshme pritet të certifikohen edhe rezultatet zgjedhore.
“Institucionet e reja duhet të krijohen pa vonesa dhe është përgjegjësi e jona t’i respektojmë afatet ligjore dhe të jemi transparentë. Së bashku duhet t’i mbrojmë vlerat që na bashkojnë, interesin publik dhe vendin tonë”, ka shkruar Hamza.
Ai ka uruar deputetët e zgjedhur të të gjitha subjekteve politike , duke iu dëshiruar suksese në punën e tyre.
“Nga mandatet e fituara buron edhe detyra e shenjtë për t’iu shërbyer me ndershmëri dhe përgjegjësi atyre që besuan te secili i zgjedhur. Faleminderit mbi 196 mijë qytetarëve që besuan te Partia Demokratike e Kosovës. Faleminderit për mbështetjen që na e keni dhënë për ta bërë Kosovën më të mirë”, ka shtuar Hamza. /Kosova.info/
