Hamiti: Zgjedhja më 28 dhjetor është mes ndërtimit të shtetit dhe katandisjes së vendit

Anëtari i Kryesisë Qendrore të LDK-së, Muhamet Hamiti ka dhënë një deklaratë të fortë politike lidhur me zgjedhjet nacionale të 28 dhjetorit duke e cilësuar vendimin e qytetarëve si një ndarje të qartë mes dy rrugëve të mundshme për Kosovën. Në një reagim publik, ai thekson se vota e kësaj radhe është më shumë se çështje partiake, është zgjedhje për drejtimin që duhet të marrë shteti në vitet e ardhshme.

Hamiti u bëri thirrje qytetarëve që e duan Kosovën të pavarur, sovrane, të integruar në Bashkimin Europian dhe në partneritet të fuqishëm me Shtetet e Bashkuara, që të mbështesin partitë të cilat sipas tij e kanë themeluar dhe zhvilluar shtetin. Ai kritikoi gjendjen aktuale, izolimin politik dhe ekonomik, si dhe sanksionet e BE-së duke theksuar se këto janë pasoja të drejtimit të gabuar të qeverisë aktuale.

Sipas Hamitit, vota për Albin Kurtin dhe koalicionin e VV-së nënkupton “vazhdueshmërinë e katandisjes së vendit”, humbjen e mbi 600 milionë eurove fonde nga BE-ja, pezullimin e dialogut strategjik me SHBA-të dhe, siç e cilësoi ai, korrupsionin masiv qeveritar.

Ai e mbylli mesazhin me një apel të qartë: zgjedhja është në duart e qytetarëve. “Uroj të zgjedhin mirë, për të mirën e vet dhe të shtetit tonë”, tha Hamiti duke e konsideruar 28 dhjetorin si një moment vendimtar për të ardhmen e Kosovës. /Kosova.info/

Go to TOP