Hadergjonaj: Votimi i fshehtë mohon përgjegjësinë – reflektoni për hir të shtetit

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fadil Hadergjonaj, ka mbajtur një fjalim të fuqishëm në Kuvendin e Kosovës duke reaguar ndaj situatës së krijuar pas dështimit për të 50-tën herë radhazi të konstituivit të tij. Me një ton të qartë dhe të vendosur, Hadergjonaj theksoi se si ish-ushtarak karriere dhe pjesëtar i luftës çlirimtare, ai e sheh me shqetësim thellimin e krizës institucionale dhe devijimin nga normat kushtetuese.

“Në këtë tempull të demokracisë po flas në rrethana jo të zakonshme, për shkak të veprimeve që bien ndesh me rendin kushtetues dhe demokratik”, tha ai duke shprehur keqardhje që drejtimi i seancës nga më i moshuari i Kuvendit po mungon në autoritet dhe përmbushje të përgjegjësive ligjore.

Deputeti i LDK-së kritikoi ashpër ndryshimin arbitrar të mënyrës së votimit për Kryetar të Kuvendit – nga votim i hapur në votim të fshehtë – duke e cilësuar këtë veprim si shkelje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të 26 qershorit 2025.

“Ligji nuk njeh moshë, ai është obligativ për të gjitha moshat. Normat kushtetuese nuk janë sugjerime, por obligime”, tha Hadergjonaj.

Ai akuzoi partinë e parë në Kuvend se po manipulon me figurën e kryesuesit të seancës, me shpresën se votimi i fshehtë do të prodhojë një shumicë që nuk ekziston realisht. Duke u drejtuar si kryesuesit të seancës ashtu edhe kandidates për Kryetare të Kuvendit, ai kërkoi që të dy të tërhiqen nga pozicionet partiake për të krijuar hapësirë për reflektim dhe konsensus real.

“Logjika e fshehjes është mohim i përgjegjësisë, dhe ne në LDK nuk mund të jemi pjesë e kësaj hipokrizie”, deklaroi ai.

Në përmbyllje të fjalës së tij, Hadergjonaj theksoi se zgjidhja e propozuar nga LDK është e vetmja rrugë reale dhe e qëndrueshme për dalje nga bllokada:

“Kundërshtitë pozitë-opozitë janë legjitime, por të jesh kundër Kushtetutës dhe shtetit është e papranueshme. Reflektoni për hir të qytetarëve dhe shtetit që është ndërtuar me sakrificë.” /Kosova.info/


Go to TOP