Hadergjonaj nis rrugëtimin politik me homazh te dëshmorët: “Do të mbetem ushtar i idealeve të tyre”

Kandidati për deputet nga radhët e LDK-së me numër 22, Fadil Hadergjonaj, e ka nisur rrugëtimin e tij politik me një homazh të veçantë, duke bërë nderime pranë varreve të dëshmorëve në fshatin e tij.

Ai ka theksuar se ky moment përbën një ripërtëritje të betimit për të vazhduar angazhimin në shërbim të vendit, duke u mbështetur në sakrificën e atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.

“Sot e nisa rrugëtimin duke u përkulur me respekt pranë varreve të dëshmorëve të fshatit tim, pranë atyre që me sakrificën e tyre u bënë themeli i lirisë sonë. Mora bekimin dhe ripërtëriva betimin se amaneti i tyre do të më mbajë gjithmonë të fortë, të vendosur dhe të palëkundur”, ka shkruar Hadergjonaj.

Ai shtoi se do të mbetet përherë i përkushtuar ndaj idealeve për të cilat ranë dëshmorët, duke synuar një Kosovë të lirë, të pavarur, të bashkuar dhe me perspektivë euroatlantike.

Hadergjonaj ka përfunduar mesazhin e tij duke u zotuar se do të jetë “ushtar besnik i idealeve” të heronjve të vendit.

Go to TOP