Hadergjonaj: Mërgata është shtylla e lirisë dhe zhvillimit të Kosovës
Kandidati për deputet nga LDK, Fadil Hadergjonaj Bjeshkë, ka drejtuar një mesazh mirënjohjeje për mërgatën kosovare duke vlerësuar rolin e saj historik dhe të pazëvendësueshëm në lirinë, pavarësinë dhe zhvillimin e vendit.
Në adresimin e tij publik, Hadergjonaj tha se përveç se kandidat, i drejtohet mërgatës edhe si dikush që ka jetuar, punuar dhe sakrifikuar në mërgim duke ndarë të njëjtat përvoja dhe sfida si shumë bashkatdhetarë.
Ai rikujtoi se mërgata ka qenë “krahu më i fortë” në luftën për liri duke kontribuar si bashkëluftëtare, mbështetëse dhe themel i shtetndërtimit. “Çdo hap i Kosovës drejt lirisë e shtetndërtimit mban vulën e sakrificës suaj,” theksoi Hadergjonaj.
Duke folur për rolin aktual të mërgatës, ai theksoi se ajo meriton respekt të institucionalizuar dhe një vend të merituar në proceset vendimmarrëse, pasi përbën shtyllë të identitetit dhe zhvillimit kombëtar. Sipas tij, mërgata nuk duhet parë si pjesë e larguar e popullit, por si kontribuuese kyçe në të gjitha dimensionet e progresit të Kosovës.
Në fund të mesazhit, Hadergjonaj shprehu mirënjohjen për gjithçka që mërgata ka bërë dhe vijon të bëjë për vendin duke nënvizuar se përkushtimi i tyre mbetet gurthemel i rrugëtimit shtetëror të Kosovës.
Mesazhi u mbyll me falënderimin e tij të sinqertë: “Ju faleminderit për gjithçka që keni bërë dhe vazhdoni të bëni për Kosovën.”
Ai kandidon me numrin 20 në listën e LDK-së, ndërsa numri i subjektit është 123. /Kosova.info/
