Guerot: Rusia po udhëheq luftën e dezinformimit në Ballkan, Kosova e rrezikuar nga aktorët keqdashës

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka theksuar seriozitetin e situatës së dezinformimit në rajonin tonë duke e cilësuar atë si një kërcënim të madh për stabilitetin social dhe politik.

Në hapjen e aktivitetit “Balkan News Truck” në sheshin “Ibrahim Rugova” në Prishtinë, Guerot tha se kjo luftë informative zhvillohet kryesisht nga Rusia, e cila po përdor propagandën për të krijuar ndarje dhe kaos, por jo vetëm Rusia është aktore në këtë proces.

“Situata është shumë serioze, ne jemi në mes të një lufte informative ku asnjë gënjeshtër nuk është shumë e madhe. Ata po i shënjestrojnë civilët, ashtu si dronët rusë në Ukrainë duke tentuar të shesin gënjeshtrat e tyre. Qeveria franceze ka vendosur të reagojë duke mbështetur mediat e lira dhe të pavarura, si dhe duke sensibilizuar opinionin publik për rrezikun e fushatave të dezinformimit,” u shpreh ambasadori francez.

Ai shtoi se Franca është shënjestruar nga Rusia për shkak të mbështetjes që i jep Ukrainës duke kujtuar edhe rastin e fundit në Francë, ku pranë disa xhamive u gjetën koka derri, një akt që sipas autoriteteve franceze ishte i organizuar nga agjentë të huaj me synim nxitjen e përçarjeve.

“Ne duam të jemi aktivë jo vetëm në Francë, por edhe këtu në Ballkan, në Kosovë, sepse ky rajon është i brishtë dhe ka aktorë që do të donin të krijonin përsëri kaos,” theksoi Guerot.

Nga ana tjetër, menaxheri i Hibrid. Info, Xhemajl Avdyli, theksoi rëndësinë e ndërgjegjësimit qytetar përballë dezinformimit. “Ky projekt ka nisur në Kosovë duke kaluar në Prizren, Mitrovicë e Pejë, dhe përmbyllet sot në Prishtinë. Qytetarëve po u shpjegojmë rreziqet e mëdha që sjell dezinformimi, i cili shpërndahet gjithandej,” tha Avdyli.

Iniciativa “Balkan News Truck” zbatohet nga CFI – Agjencia Franceze e Zhvillimit të Medias, në partneritet me Fondacionin Metamorphosis dhe me mbështetjen e Ministrisë Franceze për Evropën dhe Punët e Jashtme, si pjesë e projektit “Shared Horizons”. /Kosova.info/


Go to TOP