Gratë e Kosovës përfaqësohen për herë të parë në Festivalin Ndërkombëtar “Sharjah Heritage Days”

Me iniciativën e Ambasadës së Kosovës në Abu Dhabi dhe në bashkëpunim me Sharjah Heritage Institute, gratë e Kosovës po marrin pjesë për herë të parë me artizanatet e tyre në Festivalin Ndërkombëtar Sharjah Heritage Days – “The Glow of Authenticity”.

Në këtë festival të trashëgimisë kulturore marrin pjesë mbi 26 shtete nga pjesë të ndryshme të botës, duke e bërë atë një nga ngjarjet më të rëndësishme ndërkombëtare të këtij lloji.

Ambasadori i Kosovës, Xhabir Hamiti, gjatë vizitës së tij në panair u shoqërua dhe u mirëprit nga Kryetari i Institutit të Trashëgimisë së Emiratit të Sharjahut, Dr. Abdulaziz Al Muselam, së bashku me ekipin e tij.

Sipas ambasadorit Hamiti, Dr. Al Muselam u shpreh shumë i kënaqur dhe i impresionuar nga punimet e grave kosovare, me theks të veçantë te “Këndi i Kurajos”, i cili prezanton prodhimet e grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë.

Delegacionin e grave e udhëheq drejtoresha e OJQ “Lady”, znj. Sanije Murati, ndërsa pjesëmarrja e tyre po vlerësohet si një hap i rëndësishëm në promovimin ndërkombëtar të trashëgimisë kulturore dhe fuqizimit të grave nga Kosova./Kosova.info/

Go to TOP