Grabanica reagon ndaj akuzave: Raportimet për keqpërdorim janë të rreme

Sekretari i degës së LDK-së në Vushtrri, Betim Grabanica, ka mohuar akuzat për keqpërdorim të procesit zgjedhor duke i cilësuar si lajme të rreme me qëllim devijimin e vëmendjes nga shkeljet e vërteta të ndodhura gjatë numërimit të votave.

Grabanica ka bërë të ditur se sot ka qenë kryesues në Qendrën e Votimit 2709/01 në Vushtrri, ku është hasur një fletëvotim i pavulosur. Si pasojë, procesi i numërimit është ndërprerë menjëherë dhe janë njoftuar autoritetet e KKZ-së. Sipas rregullave të KQZ-së, kur haset një fletëvotim i parregullt, numërimi duhet të nisë nga e para.

“Raste të ngjashme me fletëvotime të pavulosura janë evidentuar edhe në të paktën dy tavolina të tjera sot në Vushtrri, ku procesi i numërimit është kthyer në pikën zero. Ne kemi hartuar raport/procesverbal për secilin rast sipas rregullave të KQZ-së,” ka deklaruar ai.

Sipas Grabanicës, shkelje të tjera janë regjistruar edhe në qendrën e votimit 2701/05 në Bahri Haxha, ku është ndërhyrë në listën e nënshkrimeve të votuesve duke fshirë me laps kimik emrat dhe numrat personalë të tyre, ndërsa nënshkrimet kanë mbetur. Edhe këtu është hasur një fletëvotim i pavulosur, duke çuar në rinisjen e numërimit.

Gjithashtu, ai ka ngritur shqetësime për mosfunksionimin e sistemit të KQZ-së, gjë që ka shkaktuar stres te komisionarët.

Duke reaguar ndaj raportimeve për keqpërdorim, Grabanica ka theksuar se ato janë të pavërteta dhe të qëllimshme për të mbuluar manipulimet e vërteta, si fletëvotimet e pavulosura dhe ndërhyrjet në librin e votuesve, të cilat, sipas tij, ngjallin dyshime për fenomenin e njohur si “treni bullgar.”

“Tre kandidatët e LDK-së nga Vushtrria kanë vota pothuajse të barabarta nga numërimi deri më tani. Nuk është prekur asnjë votë dhe nuk do të lejojmë që të preket. Jam i hapur për çdo hetim dhe i gatshëm të bashkëpunoj me organet kompetente,” ka përfunduar ai. /Kosova.info/


Go to TOP