Gjyqtari Ilir Rashkaj transferohet në Gjykatën Themelore të Prizrenit – mirënjohje nga Gjykata e Gjakovës
Gjykata Themelore në Gjakovë ka shprehur mirënjohje dhe falënderim të sinqertë për gjyqtarin Ilir Rashkaj, i cili për vite me radhë ka shërbyer me përkushtim, profesionalizëm dhe integritet në këtë institucion të drejtësisë.
Nga data 1 gusht 2025, gjyqtari Rashkaj do të vazhdojë ushtrimin e funksionit të tij në Gjykatën Themelore të Prizrenit, duke marrë me vete përvojën e çmuar dhe standardet e larta profesionale të ndërtuara gjatë mandatit të tij në Gjakovë.
Në njoftimin zyrtar, Gjykata Themelore e Gjakovës vlerëson kontributin e Rashkajt si shembull të përkushtimit në shërbim të drejtësisë dhe i uron suksese të mëtejme në sfidat e reja që e presin në Prizren.
“I dëshirojmë punë të mbarë dhe suksese në detyrën e tij të re”, thuhet në përfundim të njoftimit. /Kosova.info/
