Kelmendi mban kolegjium me kryeprokurorët: Fokus në integritetin gjyqësor dhe shitjen e pasurive të konfiskuara

Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi, ka mbajtur kolegjiumin e rregullt me të gjithë kryeprokurorët dhe përfaqësuesit e prokurorive, në të cilin morën pjesë edhe prokurorë nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit. 

Takimi filloi me prezantimin e projektit të ri rajonal të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, “Integriteti gjyqësor”, nga udhëheqësi z. Nick Hawkins, i cili para të pranishmëve paraqiti synimet dhe objektivat kryesore të projektit, në funksion të avancimit të punës dhe forcimit të integritetit, transparencës dhe llogaridhënies. 

Gjatë takimit, u.d. Kryeprokurori i Shtetit diskutoi me kryeprokurorët lidhur me punën gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2025. 

Rëndësi e veçantë iu kushtua zbatimit të akteve nënligjore në fuqi, veçanërisht rregulloreve dhe udhëzimeve të detyrueshme të Kryeprokurorit të Shtetit, me qëllim të unifikimit sa më të mirë të praktikave institucionale. 

Në fund, u.d. Kryeprokurori i Shtetit kërkoi që të rritet efikasiteti në shitjen e pasurive të konfiskuara, veçanërisht automjeteve, në mënyrë që të mos humbet vlera e tyre. /Kosova.info/


Go to TOP