Gjykata Supreme e Tatarstanit ia zvogëlon për një ditë paraburgimin gazetares së REL-it
Gjykata Supreme në Republikën Tatarstan të Rusisë, ka konfirmuar të martën vendimin e një gjykate më të ulët, për ta mbajtur gazetaren e Radios Evropa e Lirë, Alsu Kurmasheva në paraburgim, dhe ia ka zvogëluar kohën e qëndrimit për një ditë, deri më 4 shkurt.
Më 1 dhjetor, një gjykatë në Kazan, kryeqytetin e Tatarstanit, e ka vazhduar masën e mbajtjes për gazetaren, e cila është në paraburgim prej 18 tetorit.
Kurmasheva, gazetare e cila ka punuar në selinë e Radios Evropa e Lirë në Pragë, në Shërbimin e Tatar-Bashkirit, ka shtetësi amerikane dhe ruse.
Ajo ka udhëtuar drejt Rusisë për një urgjencë familjare, në muajin maj.
Kurmasheva është ndaluar përkohësisht teksa ka pritur për kthimin e saj në Pragë, më 2 qershor.
Po atë ditë, në aeroportin e Kazanit i janë konfiskuar të dyja pasaportat.
Ajo nuk ka mundur të udhëtojë, sepse ka qenë në pritje të dokumenteve të saj të udhëtimit.
Më 11 tetor, autoritetet e kanë gjobitur Kurmashevan me 103 dollarë për “dështim të informimit të zyrtarëve rusë për shtetësinë e dytë”.
Kurmasheva është ndaluar sërish më 18 tetor, dhe këtë herë është akuzuar pse ka dështuar që të regjistrohet si agjente e huaj, krim që ndëshkohet me deri në pesë vjet burgim.
Komiteti Hulumtues rus ka thënë se përgjatë hulumtimit, ka gjetur se ndonëse Ministria e Drejtësisë nuk e ka përfshirë në listën e agjentëve të huaj, ajo ka dështuar që të ofrojë dokumente për t’u përfshirë në regjistër.
Komiteti ka thënë se Kumasheva është duke u akuzuar, sipas Kodit Penal, që i referohet regjistrimit të agjentëve të huaj që kryejnë “mbledhjen e qëllimshme të informacionit në fushën e ushtrisë, aktiviteteve tekniko-ushtarake të Rusisë”, të cilat nëse merren prej burimeve të huaja, “mund të përdoren kundër sigurisë së shtetit”.
Kurmasheva dhe Radio Evropa e Lirë, i kanë hedhur poshtë të gjitha akuzat.
Më 4 dhjetor, një gjykatë në Kazan e ka hedhur poshtë apelin e avokatëve të gazetarës kundër vendimit të tetorit.
Ndalimi i Kurmashevas, pjesëtares së dytë të mediave amerikane, që mbahet nga Moska këtë vit, ka nxitur një valë kritikash prej grupeve për të drejta të njeriut dhe politikanëve, duke thënë se vendimet e këtilla sinjalizojnë një shkallë të re të censurës në kohë të luftës.
Në mars është ndaluar edhe gazetari i mediumit Wall Street Journal, Evan Gershkovich, nën dyshimet për spiunim, akuza që janë mohuar nga ai dhe gazeta.
Moska është akuzuar se ka ndaluar amerikanë për t’i shfrytëzuar si këmbim me rusët e burgosur në Shtetet e Bashkuara.
