Gjykata amerikane vlerëson se hipopotamët e Pablo Eskobarit janë ligjërisht njerëz

Hipopotamët e Pablo Eskobarit kanë avokat, madje një të mirë. Për herë të parë në ShBA, një gjykatë i njohu këto kafshë si persona ligjorë. Kjo mund të jetë shpëtim për hipopotamët në një luftë të vazhdueshme për atë se çfarë të bëhet me një ndër speciet më të rrezikshme në botë.

Tri dekada më parë, bosi i drogës trafikoi dhjetëra kafshë në një kopsht zoologjik në rançin e tij privat. Në mesin e kafshëve kishte elefantë, zebra, deve, gjirafa dhe hipopotamë. Kur policët kolumbianë e vranë Eskobarin më 1993, autoritetet e konfiskuan pronën madhështore, përfshirë kopshtin zoologjik, shkruan Gizmedo.

Autoritetet i morën kafshët për t’i dërguar në kopshte tjera zoologjike, përpos katër hipopotamëve. Pasi ishte shumë vështirë që të kapeshin dhe nuk u vlerësuan problem, organet e rendit thjesht i lanë hipopotamët që të qëndrojnë aty ku ishin.

Gjithçka po shkonte mirë deri në momentin kur hipopotamët filluan që të kryenin marrëdhënie seksuale. Tash, janë rreth 120 hipopotamë që po enden nëpër Kolumbi. Ata cilësohen si ndër speciet më “pushtuese” në botë. Autoritetet kanë shqyrtuar një plan për t’i vrarë hipopotamët që nga viti 2009.

Në korrikun e kaluar, avokati kolumbian, Luis Domingo Gomez Maldonado, paraqiti një padi në emër të hipopotamëve për t’i shpëtuar nga vrasja, duke e rekomanduar sterilizimin e tyre. Zyrtarët kolumbianë sollën një plan për përdorimin e një kontraceptivi kimik, të zhvilluar nga Departamenti i Bujqësisë i ShBA-së, për ta sterilizuar “grupin kryesor” të hipopotamëve dhe agjencia rajonale mjedisore, Cornare, filloi që ta zbatonte planin të premten e kaluar, duke vënë në shënjestër 24 hipopotamë. Sidoqoftë, në padi kërkohet përdorimi i një substance tjetër, për të cilën thuhet se është më e sigurt.

Muaj më vonë, organizata amerikane për mbrojtjen e kafshëve, “Fondi Për Mbrojtjen Ligjore të Kafshëve”, paraqiti kërkesë ligjore për të angazhuar dy ekspertë të botës së egër, që e studiojnë sterilizimin jokirurgjikal, për të ofruar dëshmi në emër të paditësve, të cilët – për të qenë të qartë – janë hipopotamë.

“Sistemi ligjor i Kolumbisë nuk mund të detyrojë dikë në ShBA që të ofrojë dëshmi ose të prodhojë dokumente, por ne e kemi këtë ligjin federal që u lejon personave të interesuar në Kolumbi që të shkojnë në ShBA dhe ta marrin të drejtën për të siguruar dokumente dhe dëshmi”, tha Christopher Berry, avokati që po e përcjell rastin në ShBa dhe që njëkohësisht është drejtor i organizatës për mbrojtjen e kafshëve.

“Prandaj, ne aplikuam për të drejtat e hipopotamëve që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për dëshmi për ta përkrahur procesin gjyqësor në Kolumbi dhe tash Gjykata e Qarkut në Distriktin Jugor të Ohio-s në ShBA e ka dhënë këtë aplikacion, duke pranuar se hipopotamët janë persona me interes.

Ky mund të duket si një hap i vogël në procedurën e gjykatës për hipopotamët, por implikimet e vendimit mund të jenë shumë të mëdha. Duke e ofruar këtë aplikacion, gjykata e qarkut i ka njohur kafshët si persona ligjor për herë të parë në historinë e ShBA-së.

Go to TOP