Gjimshiti flet për porosinë që mori në Luginë
Kapiteni i Shqipërisë, Berat Gjimshiti, ka folur për porosinë që ka marrë në Luginë që ta mposhtin Serbinë të shtunën në mbrëmje.
Ai ka thënë porosia ka qenë ajo që kërkohet gjithmonë – fitorja.
“Kisha tri-katër ditë pushim dhe shkova të shihja gjyshin dhe gjyshen në vendlindje. Ishte një gjë shumë e rëndësishme ta bëja. Porosia ishte ajo që e keni dëgjuar të gjithë. Jemi të fokusuar te ndeshja. Gjithnjë lypim fitoren. Kundërshtari është shumë i fortë, por ne gjithnjë kërkojmë ta fitojmë ndeshjen”, ka deklaruar ai në konferencën për media.
Tek ka folur për emocionet në këtë ndeshje, ai ka thënë se futbollistët mesazhin duhet ta japin me paraqitje në fushë.
“Ka disa gjëra emocionale që mund të djegin më shumë disa lojtarë. Duhet të fokusohemi te paraqitja jonë. Kjo është gjëja më e rëndësishme nesër. Emocionet janë në një ndeshje, por duhet t’i përmbahemi ndeshjes dhe të kërkojmë tri pikët. Mesazhi që mund të japim me paraqitje në fushë. Të lëmë çdo gjë në fushë. Më pas tifozët duartrokasin, ndodhi çka ndodhi. Jemi përgatitur shumë mirë për kundërshtarin që është shumë i fortë, por edhe lojën tonë se si ta bëjmë. Besoj se jemi të përgatitur”, ka thënë Gjimshiti.
Gjimshiti është pyetur edhe për gruan serbe, por ka refuzuar të flasë për jetën personale.
“Nuk kam ardhur këtu të përgjigjem për jetën time private. Kam ardhur për futboll. Këto janë çështje private dhe e lëmë në futboll”, ka thënë ai.
