Gjilan, fillon projekti 2.4 milionësh, mbulimi i lumit ‘Stanishorka’

Kanë filluar zgjerimi i rrugës “Hamdi Kurteshi” në vlerë prej 2.4 milionë eurosh, që njëherësh është edhe njëri nga projektet më të mëdha të komunës së Gjilanit. Punimet e këtij projekti i ka përcjellë nga afër edhe kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni me bashkëpunëtorët e tij dhe me përfaqësuesit e Forcës së Sigurisë të Kosovës.

“Projektet nga prezantimi 7 javë – 7 projekte, po marrin jetë”, tha Hyseni.

I pari i komunës tha se pas sezonit dimëror, tash janë krijuar kushtet për vazhdim të punimeve.

Ky projekt është njëri nga rrugët më të frekuentuara dhe më të rëndësishme për hyrje-dalje nga Gjilani, tha ai.

“Si një nga projektet më të mëdha kapitale, ky projekt do të zgjerojë infrastrukturën e qytetit dhe do të përmirësojë dukshëm jetën e qytetarëve. Për Gjilanin që duam”, tha Hyseni.

Kryetari i Gjilanit, tha se punimet kanë filluar brenda kazermës së FSK për të ndërtuar murin e perimetrit të parë të sigurisë.

Sipas Hysenit në fund të muajit prill, dalin jashtë këtij perimetri dhe vazhdojnë punimet në hapësirën e jashtme. Kjo pjesë përgjatë Kazermës së FSK-së do të ketë rrugë me katër krosi, trotuar në dy anët, shteg për biçikleta, infrastrukturë nëntokësore (përfshirë edhe zhvendosjen e kabllove elektrike në kanale nëntokësore), apo mbulimi i lumit Stanishorka.

Punimet pritet të përfundohen brenda vitit 2024, tha Hyseni

Kujtojmë se ky projekt me bashkëfinancim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ishte prezantuar me 22 janar të këtij viti, në kuadër të projekteve me moton “7 javë – 7 projekte”, derisa gurthemeli ishte vënë me 1 dhjetor ku ishte edhe kryeministri Albin Kurti. /Kosova.info/

Go to TOP