Gjilan: 40 ditë paraburgim shtetasit të Malit të Zi për vrasje të rëndë, po kërkohej edhe nga Interpoli

Gjykata Themelore në Gjilan sipas një njoftimi, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 40 ditë të pandehurit S. J.

S.J. shtetas i Malit të Zi, dyshohet se në gjysmën e dytë të korrikut të vitit 2020, në Kotor të Malit të Zi, duke vepruar si anëtarë i organizatës kriminale dhe duke përdorur telefon të koduar dhe aplikacionin SKY ECC, në bashkëkryerje me dy të akuzuar të tjerë, kanë planifikuar që në mënyrë tinëzare të privojnë nga jeta – tani viktimën N.S.

”Me datë 01.08.2020 i pandehuri me bashkë me të akuzuarit e kanë ndaluar viktimën, i cili ishte duke e drejtuar motoçikletën e tij dhe e kanë goditur me shufër metalike në pjesën e kokës duke e rrëzuar për toke e më pas të njëjtin e lidhin me litar duke e goditur disa here në kokë dhe pjesë të trupit, e më pas duke ndjekur planin kriminal, viktimën e futin në automjetin e markës BMW, ashtu që gjatë rrugës e torturojnë vazhdimisht të njëjtin duke e goditur dhe e gjithë kjo për të marr planet e organizatës kriminale kundërshtare dhe për t’u qasur në telefonin e koduar të viktimës, kështu që në mbrëmjen e datës 01.08.2020 dhe datës 02.08.2020, e privojnë nga jeta viktimën N. S., e më pas kthehen në Kotor dhe e largojnë motoçikletën nga vendi i ngjarjes në një vend të panjohur me qëllim të fshehjes së gjurmëve dhe veprës penale të kryer”.

Më këto veprime i pandehuri dyshohet se ka kryer veprat penale “vrasje e rëndë”, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas vlerësimit të Gjykatës dhe nga shkresat e lëndës shihet se i pandehuri S. J., është duke u kërkuar në bazë të një urdhër arresti të Interpolit, të datës 31.05.2021.

Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se ekzistojnë kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, ngase i njëjti ka shtetësinë e Republikës së Malit të Zi dhe për më tepër gjatë ndalimit nga zyrtarët policorë i njëjti është paraqitur me një emër tjetër, po ashtu edhe gjatë seancës dëgjimore.

Go to TOP