Qeveria jep detaje për takimin mes Kurtit e Varhelyit

Qeveria e Kosovës përmes një komunikate ka dhënë detaje për takimin mes kryeministrit Albin Kurti dhe komisionerit të BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Bëhet e ditur se në këtë takim Kurti e njoftoi komisionerin Varhelyi me rezultatet e qeverisjes, veçanërisht në rrafshin ekonomik dhe atë demokratik, arritje këto që në vazhdimësi po evidentohen nga raportet ndërkombëtare, siç bënë së fundmi ai i Bankës Evropian për Ndërtim dhe Zhvillim që parasheh se Kosova do të ketë rritjen më të madhe ekonomike në Ballkanin Perëndimor për vitet 2022 dhe 2023, dhe raporti i Freedom House “Vendet në Tranzicion 2023”, në të cilin Kosova sivjet ka marrë vlerësimin më të lartë ndonjëherë për cilësinë e demokracisë.

Në anën tjetër, Varhelyi u shpreh i impresionuar me rezultatet e arritura dhe theksoi se liberalizimi i vizave është si rezultat i luftës së korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Bashkë, ata diskutuan për të gjeturat e Raportit të Vendit për këtë vit, i cili konfirmon se Kosova ka shënuar progres në forcimin e demokracisë, sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe ka intensifikuar aktivitetet legjislative, si dhe për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe nevojën e përshpejtimit të integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian”, thuhet ndër tjera.

Po ashtu Kurti ftoi komisionerin evropian edhe për më shumë bashkëpunim, sidomos në reformën në sistemin e drejtësisë, teksa u shpreh falënderues për ndihmën e vazhdueshme financiare të Bashkimit Evropian në shumë fusha, sidomos së fundmi në tejkalimin e krizës energjetike.

Go to TOP