Gjenerali që e nderoi Rugovën tani do ta nderoj qytetin e tij – Shtimen

Shkruan: Flamur SADRIU
“Nderojmë të shkuarën, ndërtojmë të ardhmen”. Kjo ka qenë ndër fjalitë më të shpeshta që e kemi dëgjuar nga Lumir Abdixhiku, pas zgjedhjes së tij Kryetar i LDK-së. Se ky nuk ishte një slogan popullist por një botëkuptim i Kryetarit të ri të LDK-së, u bindëm brenda pak muajsh, me të caktuar kandidatët tanë për kryetarë komunash.

Në Prizren dhe në Shtime, LDK-ja zgjodhi të garojë me dy ushtarakë eminent. Në këtë të fundit qytezë, në Shtime, Lidhja jonë po garon me hiç me pak se Gjeneral Bedri Zeqirin. Një oficer i shkolluar në akademinë ushtarake të marinës në Split të Kroacisë. Pas përfundimit të akademisë, u emërua epror në Ploqe të Kroacisë. Aty kreu detyra të ndryshme, e fundit ishte si Komandant Anijeje, ku për herë të parë një shqiptar arriti të emërohet në këtë detyrë. Më pastaj u burgos nga regjimi shovinist serb; dhe pas daljes nga burgu mori rrugën e emigrimit.

Pas daljes nga burgu, u largua në emigrim; por jo për shumë gjatë. Me të filluar lufta, ai erdhi në Kosovë për ta veshur uniformën e UÇK-së dhe t’i printe betejave si komandant i saj. Me të përfunduar lufta, Gjenerali ynë e vazhdoi shërbimin ndaj atdheut, tashmë si një oficer i lartë i TMK-së, e më pas edhe FSK-së.

Pak njerëz në Kosovë e dinë se ishte pikërisht Gjeneral Bedri Zeqiri, ai që e organizoi dhe u përkujdes për gjithçka në ceremoninë mortore të Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova. Ky funeral madhështor që nuk ishte parë në këtë pjesë të botës, shkoi mirë dhe mbarë, madhërishëm dhe pa asnjë incident. Ishte i tillë më së shumti falë disiplinës dhe profesionalizmit të Gjeneralit tonë.

Pas kontributit të tij madhor në luftë dhe në paqe, pas 40 viteve kontribut të paçmueshëm për vendin e tij si oficer ushtarak, pas nderimit që i’a bëri President Ibrahim Rugovës; Gjenerali ynë i luftës dhe i paqes, Bedri Zeqiri, tani ka vendosur ta nderojë vendlindjen e tij, qytetit e tij, Shtimen, duke kandiduar për kryetar të kësaj komune nga radhët e LDK-së. Ndërsa tani është radha që votuesi i Shtimes ta nderojë vetveten, qytetin dhe Kosovën, duke e votuar Gjeneral Bedri Zeqirin.

Go to TOP