Gjatë tri viteve, Nikos Dendias katër herë në Kosovë

Ishte për vizitë zyrtare në Kosovë, në qershor të këtij viti. Por pa kaluar as shtatë muaj, ai vjen sërish në kryeqytetin kosovar.

Është ky ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias. Ai vjen sot në një vizitë zyrtare në Kosovë, pasi një ditë më parë qëndroi për një të tillë edhe në kryeqytetin e Serbisë, Beograd.

Ai do të pritet nga zyrtarët më të lartë të shtetit, kurse në aeroport, mirëseardhje do t’i dëshirojë ministrja e Punëve të Jashtme e Diasporës të Kosovës, Donika Gërvalla.

Greqia është një nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian që ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Por, qasja e saj karshi Kosovës ka qenë konstruktive, e sidomos përgjatë viteve të fundit.

Kontaktet e Greqisë me Kosovën kanë shënuar ngritje, sidomos nga viti 2019, kur drejtimin e qeverisë e mori kryeministri Kyriakos Mitsotakis.

Kontaktet e Greqisë me Kosovën filluan të shtohen nëpërmjet ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, i cili në këtë post u vendos në korrik të vitit 2019.

Vetëm pak më shumë se një vit pasi mori detyrën, me 9 tetor 2019, Dendias mbërriti në Prishtinë, në vizitë zyrtare.

Në atë kohë, në takim me kryeministrin Avdullah Hoti, Dendias kishte thënë se “Greqia është e përkushtuar që ta ndihmojë Kosovën në rrugëtimin euro-atlantik”.

Gjithashtu, para dy vitesh, në takim me ministren e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, kjo e fundit ishte shprehur se homologu i saj grek, i kishte dhënë mbështetje Kosovës për liberalizimin e vizave, raporton RTKlive.

Dendias ishte në Kosovë edhe në tetorin e vitit 2020 ku u prit nga zyrtarët më të lartë të Kosovës.

Më vonë, në qershorin e vitit 2021, Dendias kishte ardhur sërish për vizitë në Kosovë.

Ai ishte pritur nga presidentja Vjosa Osmani, kurse në konferencë me homologen e tij, ministren e Punëve të Jashtme e Diasporës, Donika Gërvalla, ministri grek kishte thënë se vizita e tij, shërben për të përmirësuar marrëdhëniet me Kosovën, sidomos ato ekonomike dhe tregtare.

Gërvalla kishte thënë se palët janë pajtuar që Zyra e Kosovës në Athinë, nga një zyrë me status të thjeshtë, të ngrihet në zyrë politike, ndërkohë që një zyrë e tillë greke ka vite që funksionon në Prishtinë.

Kontaktet mes Kosovës e Greqisë, nëpërmjet ministrit të jashtëm grek kanë vazhduar edhe më tej në forma të ndryshme.

Ai ka pasur takime me homologen e tij, Gërvalla si edhe me kryeministrin Albin Kurti edhe gjatë punimeve të samitit “Delfi” të mbajtur në Greqi.

Go to TOP