Gjashtë të lënduarit nga shpërthimi në Lushnjë janë jashtë rrezikut për jetë

Gjendja e gjashtë të lënduarve nga shpërthimi i ndodhur të premten në Lushnjë është jashtë rrezikut për jetën.

Njëri prej tyre, Ervis Sharka ka dalë nga spitali rajonal i Lushnjes të shtunën dhe do të mjekohet në banesë.

Tashmë pritet që në vendngjarje të hiqet bombola e mbetur e oksigjenit e varur në vinç, pasi paraqet rrezikshmëri të lartë dhe Njësia Antieksploziv ka kërkuar ekspertë shtesë.

Kujtojmë se pasditen e së premtes, prej shpërthimit humbën jetën babë e bir të cilët po punonin në këtë kantier. Ndërkohë i shtruar te “Trauma” është deputeti Bujar Çela dhe një 42-vjeçar, të cilët i janë nënshtruar mbrëmë ndërhyrjeve kirurgjikale.

Paraprakisht dyshohet se ka qenë kontakti i vinçit me linjën e tensionit të lartë që ka shkaktuar shpërthimin e fuqishëm, duke qenë se po punohej për lëvizjen e gjashtë bombolave të oksigjenit.

Shpërthimi i fuqishëm pati pasoja disa kilometra larg zonës, ndërsa zhurma u ndje thuajse në gjithë qytetin.

Go to TOP