7 pjesëtarë të FSK-së diplomojnë në Kolegjin e Mbrojtjes dhe Sigurisë

83 kursantë nga Shqipëria, mes të cilëve edhe 7 nga Forca e Sigurisë së Kosovës përfunduan me sukses vitin akademik 2025–2026 në Kolegjin e Mbrojtjes dhe Sigurisë, duke u diplomuar në Kursin e Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm (KKSHP) dhe Kursin e Lartë të Oficerit (KLO).

Të pranishëm në ceremoninë e diplomimit ishin Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ambasadori i Kosovës në Shqipëri Skënder Durmishi, Drejtuesi i Kolegjit të Mbrojtjes dhe Sigurisë, gjeneral brigade Altin Kurti, komandantë të FA, etj.

Në fjalën e tij, Ministri Nufi e cilësoi diplomimin si nisjen e një investimi strategjik për lidershipin e ardhshëm të Forcave të Armatosura, duke theksuar se përgatitja profesionale e oficerëve mbetet një nga shtyllat kryesore për forcimin e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare.

“Mjedisi i sigurisë në të cilin jetojmë është bërë më kompleks, më dinamik dhe më i paparashikueshëm se kurrë më parë. Konfliktet konvencionale, kërcënimet hibride, sulmet kibernetike, zhvillimet e shpejta teknologjike dhe sfidat ndaj rendit ndërkombëtar kërkojnë në çdo moment ushtarakë, të aftë të mendojnë në mënyrë strategjike, të bashkëpunojnë me aleatët dhe të marrin vendime të përgjegjshme për të ardhmen”, tha Nufi.

Pikërisht për këtë arsye, shtoi ai, arsimi ushtarak nuk është një etapë që përfundon me marrjen e një diplome, por një proces i vazhdueshëm që ndërton kulturën profesionale dhe përgatit drejtuesit për sfidat e së nesërmes.

Ai nënvizoi se, Kolegji i Mbrojtjes dhe Sigurisë po konsolidohet si një qendër e rëndësishme e edukimit profesional ushtarak, që përgatit drejtues të aftë për të kontribuar si në nivel kombëtar, ashtu edhe në strukturat dhe misionet e NATO-s.

Ministri Nufi theksoi gjithashtu se zhvillimi i kapitalit njerëzor mbetet një prioritet i Qeverisë Shqiptare dhe i Ministrisë së Mbrojtjes, duke evidentuar se teknologjia dhe pajisjet moderne marrin vlerë vetëm kur mbështeten nga profesionistë me dije, integritet dhe përkushtim ndaj vendit.

Në këtë kuadër, ai ritheksoi vizionin për ta zhvilluar Kolegjin e Mbrojtjes dhe Sigurisë si një institucion modern, konkurrues dhe të integruar ngushtë me akademitë dhe kolegjet ushtarake të vendeve aleate të NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Ministri Nufi shprehu mirënjohje për partnerët ndërkombëtarë, drejtuesit, pedagogët dhe stafin e Kolegjit për kontributin në rritjen e cilësisë së arsimit ushtarak, si dhe vlerësoi bashkëpunimin mes Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke e cilësuar atë një dëshmi të lidhjes vëllazërore dhe të vizionit të përbashkët për ndërtimin e kapaciteteve profesionale në shërbim të sigurisë së dy vendeve.

Go to TOP