Gjashtë raste të reja me simptoma helmimi në Han të Elezit vetëm sot, ushqimi duket se s’është burimi i vetëm
Bashkim Azizi nga QKMF e Hanit të Elezit në një bisedë për Kosova Live ka dhënë detaje lidhur me helmimin që ka ndodhur në këtë qytet.
Azizi ka thënë se disa nga pacientët kanë treguar se kanë konsumuar ushqim nga një fast-food dhe nga një piceri, megjithatë ai thotë se raste me simptoma të njëjta kanë ardhur edhe nga shtëpitë e tyre.
“Gjendja është nën kontroll, bazuar në anamnezat dhe trajtimin e pacientëve. Fillimisht kemi dyshuar për helmim, pasi pacientët na kanë dhënë informacione se kanë konsumuar ushqim në fast-food dhe piceri. Mirëpo, kemi edhe raste me simptoma të njëjta që kanë ardhur nga shtëpitë e tyre”, ka thënë ai.
Azizi ka treguar se ka pasur edhe pacientë që kanë lëvizur edhe nga vende të tjera dhe që kanë kërkuar shërbim shëndetësor në QKMF.
Vetëm sot janë shënuar edhe gjashtë raste të rerja që po marrin trajtim.
“Ka pasur gjithashtu pacientë që kanë lëvizur nga vende të tjera dhe kanë kërkuar shërbim shëndetësor këtu. Ne, si QKMF, u kemi dhënë terapi dhe aktualisht po trajtohen në mënyrë ambulatore.
Sot, deri tani, janë paraqitur vetëm 6 raste të reja, duke përfshirë edhe pacientët që janë duke marrë infuzione dhe terapi që nga data 13.07.2026.”, ka thënë ai.
