Gërxhaliu: Refuzimi i Kosovës për kompromis për CEFTA-n e fuqizon Ballkanin e Hapur

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka folur për deklaratën e ambasadorit gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, i cili tha se emisari special gjerman, Manuel Sarrazin, vizitoi Kosovën ku i kërkoi kryeministrit Albin Kurti që të bëjë kompromis për CEFTA-n, e që sipas tij, s’pati sukses.

Gërxhaliu tha se qasja refuzuese ndaj aleatëve dhe Shteteve të Bashkuara nuk i bën nder Kosovës dhe se sipas tij, duhet analizuar se cilat mund të jenë pasojat e një rrugëtimi të tillë.

“Duhet të kuptohet që Procesi i Berlinit i ka tri marrëveshje strategjike të miratuara nga të gjitha qeveritë e Ballkanit Perëndimor. E para ka të bëjë me agjendën e gjelbër, me tregun e përbashkët rajonal dhe marrëveshjen e lëvizjes së lirë të mallrave, njerëzve dhe kapitalit dhe në këtë drejtim është një pozicion shumë i qartë i të gjitha shteteve që duhet t’i zbatojnë”.

“Në anën tjetër, po flasim për një iniciativë të tregtisë së lirë, që duhet të jetë prioritet eliminimi i barrierave. Në këtë drejtim, besoj se dikush mund të aludojë se nuk është problemi vetëm i Kosovës dhe Serbisë, por Kosova ka problem edhe me Bosnjë dhe Hercegovinën, pasi shqiptarët e Kosovës nuk mund të shkojnë atje”, tha Gërxhaliu në Edicionin Special në Klan Kosova.

Më tej, Gërxhaliu tha se refuzimi i një alternative për këtë temë mund të prodhojë pasoja shumë shqetësuese, teksa tha se propozimet konkrete janë që mund të jetë një ri-emërim për CEFTA-n, 6-1 dhe ai minus një, sipas tij, është Kosova.

“Dhe e treta, që besoj se duhet të jetë më shqetësuese është se një refuzim i tillë po e fuqizon Ballkanin e Hapur, të dizajnuar nga Serbia dhe po vërehet se edhe në Evropë është një frymë anti-amerikane që po i pengon shumë procese që po e godasin Evropën”, tha ai.

Go to TOP