Gërvalla: Luftë e pakompromis kundër korrupsionit dhe forcim i transparencës institucionale
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka ritheksuar përkushtimin e institucioneve të Kosovës për një qasje të pakompromis ndaj korrupsionit duke theksuar se parandalimi dhe luftimi i tij mbeten prioritete absolute dhe të përditshme.
Gjatë një vizite në Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, ajo zhvilloi takim me drejtorin Yll Buleshkaj dhe ekipin e tij, ku u diskutuan mënyrat për rritjen e transparencës, integritetit dhe llogaridhënies në institucionet publike.
Sipas saj, çdo mekanizëm parandalues dhe çdo hap ligjor synon drejtpërdrejt luftimin e korrupsionit dhe sigurimin e përgjegjësisë për abuzuesit e pushtetit. Ajo nënvizoi se zbatimi i rreptë i legjislacionit, me vendosmëri dhe guxim, është çelësi për ndërtimin e një sistemi publik të fortë dhe funksional.
Në takim u diskutua edhe avancimi i kornizës ligjore, standardizimi profesional i trajtimit të konfliktit të interesit, si dhe thellimi i bashkëpunimit institucional dhe ndërkombëtar, përfshirë përpjekjet për anëtarësimin e Kosovës në iniciativa globale kundër korrupsionit.
Një ndër temat kryesore ishte edhe nënshkrimi dhe ratifikimi i Traktatit Rajonal për Shkëmbimin e të Dhënave, i cili pritet të mundësojë verifikimin e pasurisë së zyrtarëve publikë jashtë vendit duke rritur transparencën dhe përgjegjësinë në nivel ndërkufitar.
Ministria e Drejtësisë, sipas Gërvallës, do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me institucionet relevante në kuadër të reformës në drejtësi dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, me synim ndërtimin e institucioneve të besueshme dhe sundimin efektiv të ligjit në vend. /Kosova.info/
