Gërvalla: Kosova forcon mekanizmat kundër dhunës në familje
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, njëherësh Koordinatore Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore, hapi sot takimin e parë Ndër-Ministror kundër dhunës.
Sipas njoftimit nga MInistria e e Drejtësisë, në fjalën e saj hyrëse, ministrja Gërvalla deklaroi se Kosova ka bërë hapa fundamental në forcimin e mbrojtjes nga dhuna, progres i cili është reflektuar në forcimin e kornizës ligjore, në avancimin e politikave publike, në përmirësimin e koordinimit ndërinstitucional, në zgjerimin e shërbimeve mbështetëse për viktimat, si dhe në rritjen e vetëdijesimit shoqëror për këtë fenomen.
Ajo veçoi si një nga arritjet më të rëndësishme miratimin e Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore, si dhe rritjen e vetëdijes se pas çdo rasti qëndron një pritje e ligjshme që institucionet të veprojnë me profesionalizëm, ndjeshmëri dhe përgjegjësi.
“Secila grua, secila vajzë, në fakt secili person që përballet me dhunë duhet ta dijë se institucionet do të jenë pranë tyre, se zëri i tyre do të dëgjohet dhe se siguria e tyre do të mbetet prioritet i yni”, tha Ministrja Gërvalla.
Duke folur për rolin e Grupit Koordinues, ajo theksoi se luftimi i dhunës nuk është përgjegjësi e një institucioni të vetëm, por kërkon koordinim të vazhdueshëm, vizion, bashkëpunim të ngushtë dhe angazhim të përbashkët nga të gjitha institucionet përgjegjëse.
“Me afrimin e përfundimit të Strategjisë Kombëtare 2022–2026, është e rëndësishme që të fillojmë planifikimin e prioriteteve të reja, duke u mbështetur në përvojën e deritanishme, në rekomandimet e partnerëve tanë dhe në nevojat reale të qytetarëve”, u shpreh Ministrja Gërvalla. /Kosova.info/
