Drita-Kauno Zalgiris, flet Zekirija Ramadani

Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, ka folur për shortin e raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, i cili e vendosi kampionen e Kosovës përballë skuadrës lituaneze Kauno Zalgiris.

Tekniku gjilanas pranoi se kundërshtari nuk është shumë i njohur për stafin e tij, por theksoi se ka kohë të mjaftueshme për analizë dhe përgatitje para dy sfidave vendimtare.

Sipas Ramadanit, një nga përparësitë kryesore të ekipit lituanez është fakti se kampionati në vendin e tyre është në zhvillim e sipër, gjë që u jep atyre ritëm më të madh garues.

“Është një ekip që nuk e njohim mirë, por kemi kohën e duhur për ta analizuar dhe për ta përgatitur skuadrën tonë në mënyrën më të mirë të mundshme. Një avantazh që e shoh te kundërshtari është fakti se ata janë në mes të kampionatit dhe natyrisht ndodhen në formë më të mirë se ne. Megjithatë, në këto gara evropiane shpeshherë edhe freskia fizike mund të jetë një faktor i rëndësishëm”, ka deklaruar Ramadani për faqen zyrtare të klubit gjilanas.

Drita do ta zhvillojë ndeshjen e parë ndaj Kauno Zalgirisit më 7 korrik në Lituani, ndërsa sfida e kthimit do të luhet në Prishtinë më 14 korrik.

Kampionia e Kosovës synon të kalojë pengesën e parë evropiane dhe të vazhdojë rrugëtimin në garën më prestigjioze për klube në Evropë.

Go to TOP