Gërvalla e Landsbergis flasin për sfidat e sigurisë në rajon e Evropë
Situata e sigurisë në rajon dhe Evropë ishte në fokus të diskutimeve të ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla në takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Lituanisë, Gabrielius Landsbergis.
Sipas njoftimit të MPJD-së, në pritjen e realizuar në ministrinë e Punëve të Jashtme të Lituanisë, krahas diskutimit për sfidat e përbashkëta të sigurisë, u fol edhe për kërcënimet në rritje për vendet demokratike në rajon dhe Evropë si dhe bashkëpunimi ekonomik mes Republikës së Kosovës dhe Lituanisë.
“Të dy palët riafirmuan përkushtimin për paqe dhe stabilitet në rajon dhe në Evropë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë për t’iu bërë ballë sfidave të sigurisë. Gjatë takimit, ministrja Gërvalla shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e palëkundur të Lituanisë në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe aspiratave të saj për integrim euroatlantik”, thuhet në njoftim.
Gërvalla, sipas njoftimit të MPJD-së, po ashtu vuri në pah mbështetjen e palëkundur të Kosovës për Ukrainën dhe paraqiti progresin e Kosovës në demokratizim, sundim të ligjit dhe rritjen ekonomike, fusha ku Kosova qëndron shembull në rajon dhe më gjerë. /Kosova.info/