Gërbeshi: Kërkuam hetime për kontratën 950 mijë euro të Komunës së Prishtinës për menaxhimin e mbeturinave

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje! në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Çlirim Gërbeshi, ka bërë të ditur se sot, në emër të Qendrës së Prishtinës të VV-së, është dorëzuar në Policinë e Kosovës një kërkesë zyrtare për inicimin e hetimeve lidhur me kontratën në vlerë prej 950 mijë eurosh, të ndarë nga Komuna e Prishtinës për menaxhimin e mbeturinave.

Sipas Gërbeshit, kjo kontratë është negociuar pa njoftim paraprak dhe, sipas vlerësimit të tyre, bie ndesh me normat ligjore në fuqi. Ai theksoi se i gjithë procesi që i ka paraprirë lidhjes së kësaj kontrate paraqet indicie serioze dhe lë hapësirë të gjerë për hetim nga ana e organeve kompetente.

“Institucionet publike janë të obliguara të veprojnë me transparencë, ligjshmëri dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve. Çdo devijim nga këto parime duhet të hetohet dhe të marrë përgjigje ligjore. Prishtina meriton qeverisje të ndershme, jo marrëveshje të dyshimta në kurriz të interesit publik”, ka deklaruar Gërbeshi.

Ai ka shtuar se Qendra e Prishtinës e Lëvizjes Vetëvendosje! do të vazhdojë të ndjekë nga afër këtë çështje dhe do të kërkojë llogaridhënie institucionale për çdo veprim që cenon interesin e qytetarëve dhe transparencën në shpenzimin e parasë publike. /Kosova.info/

Go to TOP