Gazetari Kushtrim Sadiku denoncon në Polici kërcënime serioze – AGK kërkon hetim urgjent dhe mbrojtje
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka shprehur shqetësim të thellë për, siç ka thënë, nivelin alarmues të kërcënimeve të rënda me jetë që ka marrë ditëve të fundit gazetari i Kanal 10, Kushtrim Sadiku.
Sipas njoftimit të AGK-së, Sadiku i ka paraqitur këto kërcënime në Policinë e Kosovës, ndërsa Asociacioni ka kërkuar nga organet e sigurisë hetim të shpejtë, të plotë dhe ofrim të mbrojtjes së nevojshme, për shkak të cenimit serioz të sigurisë fizike të gazetarit dhe familjes së tij.
“AGK shpreh shqetësim për nivelin alarmues të kërcënimeve të rënda me jetë ndaj gazetarit Kushtrim Sadiku. Këto kërcënime janë raportuar në Policinë e Kosovës dhe kërkojmë veprim të menjëhershëm të institucioneve kompetente për hetim të plotë dhe garantim të sigurisë së tij”, thuhet në reagim.
Po ashtu, AGK-ja ka ftuar publikun që diskutimi rreth përmbajtjes së materialit të transmetuar të hënën në Kanal 10 të zhvillohet në kuadër të debatit të lirë dhe dhënies së opinioneve, pa kërcënime dhe pa cenim të sigurisë së askujt.
Asociacioni ka theksuar se çdo kërcënim ndaj gazetarëve për shkak të punës së tyre përbën sulm serioz ndaj lirisë së medias dhe të drejtës së publikut për informim duke kërkuar që rastet e tilla të trajtohen me prioritet maksimal nga institucionet e rendit dhe drejtësisë. /Kosova.info/
