Gati 800 kidnapime janë raportuar këtë vit në Haiti

Gati 800 kidnapime janë raportuar këtë vit në Haiti, ka thënë një grup lokal, ndërkohë që bandat zgjerojnë kontrollin në periudhë të jostabilitetit politik.

Qendra për Analiza dhe Hulumtime të të Drejtave të Njeriut, ka thënë se 119 persona janë rrëmbyer vetëm në gjysmën e parë të këtij muaji.

Në mesin e të shënjestruarve ka persona nga të gjitha fushat e jetës, duke përfshirë lokalë dhe të huaj.

Rasti i fundit i profilit të lartë përfshin 17 misionarë nga Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara, të cilët janë kidnapuar fundjavën e kaluar.

Situata e sigurisë në Haiti, e cila veçse ka qenë e pasigurt, është përshkallëzuar dukshëm prej vrasjes së presidentit Jovenel Moïse në muajin korrik.

Fraksionet rivale janë duke luftuar për të fituar kontrollon e shtetit para syve të forcës policore.

“Njerëzit nuk i besojnë policisë kombëtare të Haitit dhe kjo gjë përbën problem, sepse ne nuk mund të kemi forcë efikase policore nëse popullata nuk bashkëpunon”, ka thënë, Gedeon Jean, drejtor i Qendrës për Analiza dhe Hulumtime të të Drejtave të Njeriut, në një deklarim për agjencinë e lajmeve, AFP.

“Sipas statistikave tona, ekzistojnë të paktën dy zyrtarë policorë në secilin grup të armatosur. Disa zyrtarë policorë janë aktivë në banda dhe të tjerët i mbulojnë ata, duke mundësuar aktivitetin e bandave apo edhe të ndajnë informacione”.

Kjo organizatë ka thënë se të paktën 782 kidnapime janë raportuar këtë vit, në krahasim me 796 raste më 2020.

Shifrat aktuale besohet se janë më të larta, pasi shumë njerëz nuk guxojnë të raportojnë kidnapimet nga frika e hakmarrjes nga bandat.

Go to TOP