Gashi mohon deklaratat e rreme: Nuk kam folur për zgjedhjet pa përfunduar rezultati zyrtar

Ish deputeti dhe kandidati për deputet nga radhët e LDK-së, Arben Gashi ka reaguar ndaj, siç i ka quajtur ai, lajmeve të rreme që po qarkullojnë këto ditë në opinionin publik dhe në media duke theksuar se nuk ka bërë asnjë deklaratë lidhur me procesin zgjedhor apo me rezultatin e zgjedhjeve.

Në një reagim publik, Gashi ka sqaruar se po pret përmbylljen e plotë të procesit zgjedhor dhe publikimin e rezultateve finale zyrtare duke konsideruar çdo deklaratë të atribuuar në emrin e tij si të pavërtetë dhe të fabrikuar.

“Dua të bëj të qartë për secilin prej jush, për opinionin publik dhe për mediat se nuk kam bërë asnjë deklarim lidhur me procesin zgjedhor apo me rezultatin”, ka theksuar Gashi.

Ai ka vlerësuar se përhapja e këtyre lajmeve është dashakeqe dhe përbën një sulm të drejtpërdrejtë jo vetëm ndaj tij si individ, por edhe ndaj parimeve demokratike në vend.

Gashi ka falënderuar qytetarët për interesimin dhe përkrahjen e treguar para, gjatë dhe pas fushatës zgjedhore duke siguruar se për çdo zhvillim të ri do të informojë publikun me kohë dhe vetëm përmes kanaleve zyrtare.

“Për çdo zhvillim do t’ju informoj me kohë dhe në mënyrë zyrtare”, ka përfunduar ai. /Kosova.info/


Go to TOP