Gashi: Kushtetuesja nuk zëvendëson politikën – pa konsensus, s’ka zgjidhje
Ish-deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka reaguar pas vendimit të Gjykata Kushtetuese e Kosovës për çështjen e zgjedhjes së Presidentit duke theksuar se problemet politike kërkojnë pjekuri dhe marrëveshje politike.
Sipas Gashit, Gjykata mund të japë interpretime juridike, por nuk mund ta zëvendësojë vullnetin politik. Ai e cilëson vendimin si një “kompromis klasik”, ku sipas tij, “të gjithë kanë të drejtë, por edhe të gjithë e kanë shkelur Kushtetutën nga pak”.
Ai vlerëson se aktgjykimi përmban elemente të forta juridike, por njëkohësisht lë hapësirë për interpretime të ndryshme duke rikthyer fokusin te nevoja për konsensus politik.
Në thelb, Gashi nënvizon se zgjidhja mbetet te sigurimi i 80 votave në Kuvend, gjë që nuk mund të arrihet përmes vendimeve gjyqësore, por vetëm përmes marrëveshjeve ndërmjet partive.
Duke iu referuar afatit prej 34 ditësh, ai shtroi edhe dilema për rrjedhën e mëtejme të procesit: nëse procedura aktuale nuk sqarohet plotësisht, a do të vazhdojë procesi apo do të rikthehet nga fillimi.
“Mbete me u pa nëse këto ditë sjellin qartësi… apo vetëm interpretime më kreative”, përfundoi Gashi. /Kosova.info/
