Gashi: Kushtetuesja konfirmon votimin e hapur për kryeparlamentarin – çdo devijim është antikushtetues
Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese ka qenë e qartë në interpretimin e saj mbi mënyrën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit duke theksuar se kjo duhet të bëhet me votim të hapur, ashtu siç përcaktohet nga rregullorja dhe praktika e deritanishme parlamentare
Sipas Gashit, çdo përpjekje për ta ndryshuar këtë procedurë në mënyrë të njëanshme apo arbitrare nga kryesuesi i seancës është jo vetëm e papranueshme, por edhe antikushtetuese duke cenuar seriozisht parimet themelore të demokracisë parlamentare.
“Gjykata Kushtetuese ka konfirmuar qartë: zgjedhja e kryetarit/es të Kuvendit bëhet me votim të hapur, sipas rregullores dhe praktikës së deritanishme. Çdo ndryshim i kësaj procedure mund të ndodhë vetëm me mocion të posaçëm, të miratuar nga dy të tretat e deputetëve të pranishëm dhe që marrin pjesë në votim”, deklaroi Gashi.
Ai paralajmëroi se LDK nuk do të tolerojë asnjë manipulim me procedurat e votimit dhe se çdo veprim i njëanshëm do të konsiderohet si shkelje e rendit kushtetues dhe demokratik në vend. /Kosova.info/
