Gashi: Jam shënjestër e një fushate të rreme me video të fabrikuara nga inteligjenca artificiale
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka reaguar ndaj shpërndarjes së videove të fabrikuara dhe lajmeve të rreme që, sipas tij, po qarkullojnë prej muajsh në rrjete sociale me qëllim dëmtimin e imazhit të tij publik.
“Lajme të rreme e video të fabrikuara me inteligjencë artificiale po qarkullojnë prej muajsh në rrjete sociale. Qëllimi i tyre është i qartë: dëmtimi i imazhit tim. Këto janë pjesë e të njëjtës fushatë të pistë të strukturave të luftës hibride kundër meje,” ka deklaruar Gashi.
Ai shtoi se pavarësisht këtyre sulmeve, do të vazhdojë të ecë përpara “me besim, me ndershmëri dhe me punë,” ndërsa kritikoi ashpër autorët e fushatës duke thënë: “Ju rrini në moçalin e shpifjeve, shfaqjeve dhe mashtrimeve, por ta dini: ai moçal ka për t’ju mbytur juve. Turp!”. /Kosova.info/
