Futbollisti i Arabisë Saudite mesazh nga shtrati i spitalit: Lutuni për mua!

Futbollisti i Arabisë Saudite, Yasser Al-Shahrani, nuk do të ketë kujtime të bukura nga ndeshja e parë në Botërorin e Katarit, pavarësisht fitores së bujshme të skuadrës së tij ndaj Argjentinës.

Al-Shahrani ka marrë një goditje të rëndë në kokë në fund të ndeshjes, nga portieri i tij i cili në tentativë për të ndërhyrë dhe eliminuar rrezikun e ka goditur me gju në kokë.

Futbollisti ka mbetur i shtrirë i palëvizur dhe pas ndërhyrjes së parë të ekipit mjekësor në fushë është transferuar menjëherë nga stadiumi në spitalin Hamad në Doha.

Pas ekzaminimeve të para, u vlerësua se ai duhej t’i nënshtrohej një operacioni dhe sipas informacioneve të Gulf Today , Princi Mohammad Bin Salman urdhëroi që futbollisti të transferohej me avion privat në një spital në Gjermani, ku do të operohej përfundimisht.

Ndërkohë, vetë Al-Shahrani në një postim në rrjetet sociale është shprehur se është në gjendje të mirë shëndetësore dhe ka përgëzuar lojtarët për fitoren.

“Doja t’ju siguroja se jam mirë. Ju lutemi lutuni për mua. Gjithashtu dua t’i përgëzoj tifozët e Arabisë Saudite për një fitore të madhe, ju e merituat”, tha Al-Shahrani.

Go to TOP