Fuqizimi i ekonomisë qarkore përmes riciklimit dhe kreativitetit

Rilindja Gjelbër është një organizatë e përkushtuar ndaj mbrojtjes së mjedisit përmes promovimit të ekonomisë qarkore dhe praktikave të qëndrueshme, me fokus të veçantë në riciklimin e gardërobës. Një nga projektet më të veçanta të kësaj organizate është bashkëpunimi me Shkollën e Artit në Komunën e Pejës.

Përmes këtij projekti, nxënësit e kësaj shkolle kanë pasur mundësinë të mësojnë se si të dizajnojnë dhe krijojnë veshje apo aksesorë duke përdorur materiale të ricikluara.

“Kjo ka qenë goxha shumë sfidues sepse materialet nuk kanë qenë të njëjta. Ne si dizajner të ardhshëm jemi munduar që të  përshtatemi dhe të sjellim në treg dizajne sa më të reja e më të mira”, tha Valtin Tafila – nxënës i Shkollës së Mesme të Artit në Pejë.

Duke adresuar problemin në rritje të mbetjeve tekstile, Urim Xharavani thekson se Rilindja Gjelbër angazhohet për të kthyer rrobat e përdorura në burime të reja, duke i dhënë jetë të dytë materialeve që ndryshe do të përfundonin në deponi.

“Në Kosovë janë zhvilluar, hartuar e publikuar strategji të ndryshme. Janë publikuar programe të ndryshme por fatkeqësisht kanë mbetur në letër dhe asgjë konkrete nuk është bërë. E ne si organizatë  në bashkëpunim me shkollën e artit në Pejë kemi filluar duke e zgjedhur sektorin e tekstilit që të trajtojmë riciklimin e tekstilit. Aktualisht në Kosovë mbeturinat e tekstilit e përbëjnë diku afër 5% të mbeturinave, derisa në Bashkimin Evropian është 14 % sepse moda e shpejtë po e përshpejton sasinë e mbeturinave të tekstilit”, tha Urim Xharavani.

Ky aktivitet jo vetëm që ka rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e riciklimit, por ka inkurajuar edhe kreativitetin dhe inovacionin tek të rinjtë.

Të gjithë qytetarët të cilët nuk din se ku t’i dërgojnë rrobat të cilat si përdorin më, tashmë e kanë një adresë.

Përveç ndërgjegjësimit për rëndësin e riciklimit të materialeve nxënësit shprehen se ky projekt zhvillon edhe krijimtarinë artistike.

Ekonomia qarkore shihet si njëra ndër zgjidhjet më të mira për mbeturinat në vendin tonë.

Rilindja Gjelbër beson fuqishëm se ndryshimi fillon me edukim dhe veprim konkret. Prandaj, ajo vazhdon të punojë me komunitete, institucione dhe individë që ndajnë të njëjtën vizion për një të ardhme më të pastër dhe më të qëndrueshme.


Go to TOP