Fundjava me super-derbi, orari i xhiros së gjashtë të Superligës
Të premten, të shtunën dhe të dielën do të zhvillohen ndeshjet e xhiros së gjashtë të Superligës së futbollit.
Kjo xhiro do të hapet me ndeshjen mes Prishtinës dhe Dukagjinit, e cila do të luhet nesër nga ora 15:00 në Kampin Nacional në Hajvali, duke e pasur parasysh se stadiumi “Fadil Vokrri” u mbyll për 25 ditë për të dalë bari natyral.
Më pas, të shtunën do të zhvillohen dy ndeshje të tjera.
Ferizaj do ta presë Llapin në stadiumin me bari artificial, kurse Suhareka do t’i bëjë konak skuadrës që s’di për fitore deri tash, Feronikeli 74.
E të dielën na presin dy takimet e fundit të kësaj xhiroje.
Pa dyshim, derbi i fundjavës do të jetë ai mes dy pretendentëve për titull të kampionit, Drita – Ballkani, që do të luhet në stadiumin me bari artificial në Gjilan.
Kurse, Malisheva do ta gostisë Gjilanin në ndeshjen e fundit të xhiros.