Fried: Qeveria e Kosovës abuzoi me besimin e SHBA-së

Grindja me amerikanët i dëmton interesat e Kosovës, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë Daniel Fried, ish-ndihmës i sekretarit amerikan të Shtetit.

Sipas tij, SHBA-ja nuk ka qenë kurrë kaq e zemëruar me Qeverinë e Kosovës dhe një gjë e tillë është “mjaft shqetësuese”.

Kryeministri Albin Kurti dhe ekipi i tij “e kanë marrë mbështetjen amerikane si të mirëqenë. Ata kanë abuzuar me besimin amerikan në atë mënyrë që do të jetë e vështirë për ta që ta rregullojnë”, thotë Fried.

Reagimi vjen pas kritikave të ashpra që bëri i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në adresë të Kurtit, të cilin e fajësoi për mungesë bashkëpunimi në shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

Tensionet në këtë pjesë të vendit, të banuar me shumicë serbe, janë të larta qysh më 26 maj, kur kryetarët shqiptarë të komunave kanë marrë detyrën, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.

I pyetur se si e komenton diskutimin ndërmjet të dërguarit të posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe kryeministrit Albin Kurti, Fried ka thënë se administrata e SHBA-së kurrë nuk ka qenë më e zemëruar me Qeverinë e Kosovës.

“Është e qartë që Kosova është duke i injoruar shqetësimet e Shteteve të Bashkuara dhe duke vepruar në një mënyrë që ne nuk e inkurajojmë. Unë kurrë nuk e kam parë administratën e SHBA-së kaq të zemëruar me Qeverinë e Kosovës, jo në këta 15 vjet që nga shpallja e pavarësisë.

Qeveria amerikane i ka inkurajuar kosovarët që të mos e bëjnë këtë problem në veri dhe kosovarët na kanë injoruar. Dhe, rezultatet janë pikërisht ato për të cilat i kemi paralajmëruar.

Unë nuk kam dyshim në supozimet e mia. Përndryshe nuk mund ta shpjegoj se përse ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, dhe Gabriel Escobar do të ishin aq të irrituar. Unë supozoj se ata i kanë arsyet e tyre. Unë supozoj se arsyet e tyre bazohen në injorimin që u bëri Kurti paralajmërimeve të tyre dhe në të konsideruarit e mbështetjes së SHBA-së si të mirëqenë – çfarë ka qenë gabim dhe e habitshme.

Ai [Kurti] e ka bërë presidentin e Serbisë [Aleksandar] Vuçiq të duket empatik. Nuk kam menduar se kjo është e mundur, marrë parasysh se serbët janë burim i problemit, sepse janë ata që refuzojnë ta njohin pavarësinë e Kosovës dhe refuzojnë ta njohin realitetin se Serbia nuk do ta ketë më kurrë [Kosovën]. Por, pavarësisht kësaj, Kurti ka arritur t’i dëmtojë marrëdhëniet me SHBA-në për asnjë interes që unë mund ta identifikoj. Është mjaft shqetësuese. Unë nuk e kam parë kurrë Qeverinë amerikane kaq të zemëruar me Qeverinë e Kosovës”, ka thënë Fried.

Kurse, i pyetur nëse mendon se kryeministri Kurti po shkon larg nga rrethanat aktuale, Fried ka thënë se Kurti ka bërë gabim në gjykime.

“Po, mendoj se ka bërë gabim në gjykime. Ai e definon sovranitetin e Kosovës në atë mënyrë që e bën të ndihet se mund të kërkojë asgjë tjetër, përveç maksimumit. Dhe, duke vepruar kështu, ai e ka bërë situatën e keqe edhe më të keqe”, është shprehur Fried.

Go to TOP