Fresha forcon praninë në Prishtinë: Investim 50 milionë dollarë për inovacion dhe zhvillim teknologjik
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shprehur krenarinë dhe entuziazmin e tij për praninë e kompanisë globale Fresha në kryeqytetin e Kosovës. Platforma e mirënjohur, e cila ndihmon mbi 120,000 biznese në industrinë e mirëqenies të menaxhojnë dhe rrisin suksesin e tyre, ka zgjeruar operacionet në Prishtinë me një ekip prej 100 profesionistësh lokalë.
Me selinë kryesore në Londër dhe zyra në 14 vende të botës, Fresha ka zgjedhur Prishtinën si një nga pikat e saj strategjike për inovacion. Në pesë vitet e ardhshme, kompania planifikon të investojë mbi 50 milionë dollarë në Kosovë, duke krijuar mundësi të reja për talentet lokale në fusha si inxhinieria e softuerit, përvoja e klientit dhe operacionet.
Kjo nismë synon ta pozicionojë Prishtinën si një qendër teknologjike globale dhe t’i ofrojë të rinjve kosovarë një platformë për zhvillim profesional dhe ndërkombëtarizim. Përparim Rama theksoi se ky është një hap i madh për transformimin ekonomik të kryeqytetit dhe për integrimin e tij në tregjet globale.
“Jam shumë i lumtur që rinia jonë e suksesshme n’botë po sjell inovacion dhe mundësi të reja edhe në Prishtinë. Ky është një moment historik për zhvillimin teknologjik të qytetit tonë dhe për të ardhmen e talentit të Kosovës,” u shpreh Rama.
Fresha vazhdon të rrisë ndikimin e saj global dhe të kontribuojë në krijimin e një ekosistemi inovativ në Kosovë. /Kosova.info/
