Franca është gati të marrë pjesë në zhbllokimin e Odessas

Franca është e gatshme të marrë pjesë në operacionin për zhbllokimin e portit të Odessa në jug të Ukrainës për të mundësuar eksportin e drithërave në vendet që kanë nevojë, njoftoi Pallati Elysee.

Sipas televizionit francez BFMTV, një këshilltar i paidentifikuar i presidencës franceze tha se Franca ishte në dispozicion për “një operacion që do të mundësonte hyrjen në portin e Odessas”.

Këshilltari shtoi se Franca dëshiron që Ukraina të dalë fitimtare nga konflikti me Rusinë, raporton france24.

“Siç presidenti (i Francës, Emmanuel Macron) pati mundësinë të thoshte më herët, ne duam që Ukraina të fitojë. Ne duam të rivendosim integritetin territorial të Ukrainës. Ne duam që ky konflikt, kjo luftë e Rusisë kundër Ukrainës, të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur”, tha këshilltari i Macronit.

Rusia ka vendosur bllokadë ndaj porteve ukrainase në Detin e Zi, veçanërisht portit të Odessas, ndërkohë që autoritetet ukrainase duan të eksportojnë rreth 20 milionë tonë drithë.

Ndryshe, kujtojmë se Rusia filloi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt të këtij viti.

Go to TOP