Show Biz

Fqinji i Tuti Sejdiut ishte dënuar me 4 vjet burgim për keqpërdorim seksual ndaj saj, Express ju sjell detaje nga aktgjykimi

Shkurtesa Sejdiu, e njohur për publikun me emrin Tuti, është vajza e cila ditë më parë e mori kurorën e më të bukurës së Kosovës. Pas përfundimit të eventit, 19-vjeçarja tha publikisht se në moshën 13-vjeçare ishte përdhunuar e trafikuar nga persona të ndryshëm në Kosovë e në Serbi. Për rastin e saj, Gazeta Express e ka siguruar aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Gjilanit, i cili dëshmon se fqinji i saj, tani 40 vjeç, në vitin 2016 ishte dënuar me katër vjet burgim për veprën penale “keqpërdorim seksual i personave nën moshën 16-vjeçare” nga Gjykata Themelore. Mirëpo Gjykata e Apelit, siç mëson Express, ia kishte zbutur atij dënimin në tri vjet burgim.

“Miss Universe Kosova” e këtij viti, Tuti Sejdiu, përveç titullit, e mori vëmendjen edhe për një histori të trishtë, që ajo zgjodhi ta ndajë me publikun. Atë e nisi me mungesën e babait të saj në natën kur u zgjodh “Miss Universe”. Tuti tha se babai i saj, H.S., ishte në burg për shkak se kërkoi ndihmë për të, por sipas saj, drejtësi nuk pati. H.S. u lirua para pak ditësh nga paraburgimi, ku po mbahej për shkak se i kishte ‘kanosur’ gjykatësit për rastin e vajzës së tij. 

Gazeta Express e ka siguruar aktgjykimin e përpiluar në qershor të vitit 2016. A.K., që ishte fqinji i familjes së Sejdiut, u dënua për keqpërdorim seksual të 13-vjeçares në vitin 2016.

Rastin e përdhunimit të Tutit në polici e ka raportuar babai i saj. Ajo në atë kohë kishte vetëm 13 vjet e 3 muaj. 

Por, para publikimit të tekstit, Gazeta Express e ka kontaktuar Tuti Sejdiun, për të parë se pse deklaratat janë ndryshuar pas disa vjetësh, teksa për këtë gjë ajo thotë se ka qenë e kërcënuar. Tani thotë se rastin në trajtim e ka marrë Ministria e Drejtësisë.

“Personi pas 2 vitesh e gjysmë ka qenë në liri, gjë për të cilën edhe babi im ka lyp llogari, po gjithashtu edhe unë. Deklaratat janë ndryshu në favor të tij që ai të dënohet më pak dhe unë kam qenë e kërcënuar të deklaroj si më kanë thënë ata dhe në këtë rast ka shumë persona të përfshirë, për të cilët kemi dërguar fakte edhe në polici, edhe prokurori, por prapë silleshin të lirë personat këtu dhe atje në Serbi”, tha Sejdiu për Gazetën Express.

Ajo shprehet se qëndon pas secilës fjalë që e ka thënë.

“Por këtë rast tani e ka marrë në dorë Ministria e Drejtësisë, e cila do ta shqyrtojë detajisht këtë rast, për të cilin uroj që drejtësia të bjerë në vend… Po përkujdeset Ministria e Drejtësisë, duke i shqyrtuar të gjitha provat që i posedoj dhe unë qëndoj pas secilës fjalë që e kam thënë”, përfundoi ajo.

Sipas deklaratës së vajzës atëkohë, i akuzuari dhe ajo disa herë kishin kryer marrëdhënie seksuale në Gjilan dhe ajo kishte qëndruar disa ditë në Serbi me të dënuarin. Sipas aktgjykimit, Tuti më pas ishte vendosur në një strehimore në Serbi, ku edhe kishin shkuar prindërit për ta kthyer në Kosovë (aktgjykimi nuk ofron sqarime rreth përfundimit të saj në strehimore).

“A.K., 1981,. është fajtor sepse gjatë muajit shtator të vitit 2015 në vende të ndryshme në Gjilan, e pastaj më 26 shtator të vitit 2015 rreth orës 01:00, te moteli “C…”, në rrugën Gjilan-Ferizaj dhe gjatë qëndrimit të qytetit Shabac të Serbisë nga data 1 tetor 2015 deri më datën 6 tetor 2015 e ka keqpërdor seksualisht personin nën moshën 16-vjeç, tani të dëmtuarën e mitur Sh.S. e lindur në vitin 2002, duke kryer marrëdhënie seksuale me të. Pasi që është zbuluar lidhja e të miturës me të pandehurin nga të afërmit e saj, i akuzuari është arratisur në Serbi. Ndërsa më 15 tetor 2016 ai është dorëzuar në stacionin policor në Gjilan. Është vërtetuar se i akuzuari ka kryer veprën penale “keqpërdorim seksual i personave nën moshën 16-vjeçare”. Gjykohet me burgim në kohëzgjatje prej 4-vjetësh”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Gjilanit, të cilin e posedon Gazeta Express.

Në aktgjykim janë përshkruar deklaratat e të akuzuarit, Tutit, që atëherë ishte 13-vjeçare, dhe dëshmitarëve të tjerë. I akuzuari kishte pranuar se kishte kryer marrëdhënie seksuale me të miturën, por kishte deklaruar se e kishte bërë me vullnet të saj dhe se nuk e dinte që ajo ishte aq e re në moshë. Kishte menduar se është 16-vjeçare. 

“Kam filluar të punoj në shitoren time në Gjilan, aty ka ardhur e dëmtuara dhe kemi shkëmbyer puthje. Prej atij momenti ka filluar lidhja dhe komunikimi përmes telefonit të babait të saj. Të nesërmen kemi shkuar te motel “C..”, dhe aty kemi pasur marrëdhënie seksuale me vetëdëshirën dhe iniciativën e të dëmtuarës, edhe më herët ajo kishte pasur marrëdhënie seksuale. E kam ditur që e dëmtuara është e mitur, por nuk e kam ditur që është nën moshën 16-vjeç”, kishte pohuar ai.

Në shqyrtimin gjyqësor, viktima ka deklaruar se me të akuzuarin ka pasur marrëdhënie seksuale në Kosovë dhe në Serbi.

“Edhe pse fillimisht kam shkuar vullnetarisht, në ndërkohë kam kërkuar nga ai që të më lëshojë. Gjithashtu, i akuzuari m’i ka dhënë edhe 10 euro dhe e ka ditur për moshën time. Është e vërtetë që kam dalur me të akuzuarin dhe kemi shkuar në motel në Gjilan dhe gjatë kohës sa kemi qëndruar aty, kemi pasur marrëdhënie seksuale dhe i njëjti ka kërkuar nga unë që t’i bëj disa foto, kinse për pasaportë, në mënyrë që të udhëtojmë për Kanada, duke kërkuar nga unë që të mos pranoj, nëse dikush më pyet për lidhjen tonë. Ai ka bërë plane që të shëtisim, por gjithmonë ka thënë që së pari ta arrij moshën madhore, që nënkupton se e ka ditur që unë jam e mitur”, ishte shprehur ajo.

Ajo kishte deklaruar se për lidhjen e tyre fillimisht e ka ditur motra e saj, e cila më pas i ka treguar prindërve.

“Pastaj, babai ka kërkuar që të shkoj te gjinekologu dhe në polici. Unë fillimisht kam pranuar, me të vetmen arsye që të kem mundësi me ikë nga shtëpia dhe kam ikur”, kishte deklaruar ajo.

Aktgjykimi jep detaje se si 13-vjeçarja kishte arritur që ta kalonte kufirin dhe të shkonte në Serbi.

“Pastaj kam kontaktuar me të akuzuarin, i cili më ka kërkuar që ta thirri personin me shkronjën R dhe kam shkuar te ta dhe jam takuar me bashkëshorten e R-së. Dhe nga aty me ka dërguar që të takohem me të akuzuarin dhe pikën kufitare e kam kaluar me të akuzuarin, me të cilin kemi shkuar në Shabac dhe atje kam qëndruar për 6 ditë dhe gjatë asaj kohe, unë kam pasur marrëdhënie seksuale me të akuzuarin me vetëdëshirë, edhe pse i njëjti më ka dhënë para me qëllim që të blej diçka për vete e jo me qëllim që ta kryej aktin seksual me të. Gjatë kohës së qëndrimit në Shabac, një hërë kam tentuar që të ik nga ajo shtëpi për arsye se i akuzuari më ka goditur dhe kjo ka ndodhur një ditë para se të na zë Interpol-i. Në Serbi kanë ardhur mami dhe babi im dhe më kanë marrë nga një strehimore ku isha e vendosur”, kishte deklaruar ajo gjatë gjykimit.

Pasi e pranoi kurorën e më të bukurës në Kosovë e Shqipëri, Sejdiu ka thënë se në eventin e organizuar ka munguar vetëm babai i saj, që është në burg, shkaku që, sipas saj, kërkoi drejtësi për të.

“Po e shoh familjen time, vetëm një karrigë e zbrazët është aty. Babai im është sot në burg për mu, vetëm që ka luftu për mu, për padrejtësinë që ma kanë ba mu”, thotë ajo.

“Në moshën 13-vjeçare jam përdhunu e jam trafiku nga persona të ndryshëm nga Kosova në Serbi, derisa prindi jem nuk ka lanë institucion pa kërku drejtësi, ata njerëz, që janë mundu me ma marrë mu jetën, ata sot janë në liri, nuk janë në burg. Babi, vetëm pse ka kërku ndihmë për mu, nuk është pranë meje, po është në burg. Drejtësi nuk ka pas asnjëherë”, shtoi Tuti.

Gazeta Express ka raportuar se babai i saj, H.S., është arrestuar më 1 korrik të këtij viti nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “kanosje”, ndërsa ndaj tij Gjykata Themelore e Gjilanit kishte caktuar një muaj paraburgim, konkretisht deri më datën 31 korrik të këtij muaji.

Por të njëjtit, me kërkesë të Prokurorisë Themelore të Gjilanit, i është ndërprerë masa e paraburgimit.

“Më datë 16.07.2021, Prokuroria Themelore ne Gjilan ka bërë kërkesë për ndërprerjen e masës së paraburgimit dhe gjyqtari e ka aprovuar kërkesën dhe e ka ndërprerë masën e paraburgimit”, ka konfirmuar për Gazetën Express zëdhënësi i Gjykatës Themelore të Gjilanit, Sabit Shkodra.

Në aktvendimin për caktimin e masës së paraburgimit ndaj H.Sejdiut, të cilin e posedon Gazeta Express, thuhet se i njëjti i ka kanosur Kryetarin e Gjykatës Themelore të Gjilanit, Ramiz Azizi, dhe zyrtarë të tjerë lidhur me një vendim gjyqësor./Gazeta Express/