FOTO/ Pakti Sali Berisha-Edi Rama dhe lidhjet midis tyre me ish-diktatorin komunist Enver Hoxha

Sali Berisha dhe Edi Rama janë dy politikanët më dominues në Shqipëri për gati më shumë se tre dekada. I kanë mbijetuar skandaleve të shumta gjatë qeverisjes së tyre dhe vazhdojnë të qëndrojnë më të fuqishëm se kurrë edhe tani duke dalë të larë në të gjitha rastet. Gjithë jetën e tyre politike, si Berisha dhe Rama e kanë ngritur mbi kauzën si anti-komunistë. Madje Berisha ka shkuar edhe më thellë, pasi vazhdon të përsërisë mitin se është ai që e rrëzoi komunizmin dhe solli demokracinë në Shqipëri. E kanë ushqyer aq shumë këtë mit, sa e besojnë jo vetëm ndjekësit e tyre fanatikë, por edhe vetë Sali Berisha dhe Edi Rama që kanë rrënjë të forta komuniste. Berisha madje ka qenë sekretar partie. Të dy këta personazhe po ndjekin hap pas hapi gjurmët e ish-diktatorit komunist Enver Hoxha, i cili mbretëroi për shumë vite dhe vdiq nga shkaqe natyrale duke qenë në pushtet. Kryeministri Edi Rama ka pushtetin më të madh që pas Enver Hoxhës, nuk e ka patur askush pas vitit ’90, pra Rama ka maksimumin e mjeteve të pushtetit, ka qeverinë, kuvendin, bashkinë, gjyqësorin, mediat, gjithçka. Ai për herë të parë po qeveris për 3 mandate radhazi duke hyrë në histori dhe këtë pushtet e mori me ndihmën e Berishës, i cili shkatërroi opozitën për të vazhduar bashkëpunimin e tyre që filloi shumë vite më parë, si një shkuesi interesash që kishin qëllim groposjen e pluralizmit dhe instalimin e një sekti të pamoralshmish, të cilët do ndanin pasurinë kombëtare në llokma për orekset e tyre, të hedhura dorë më dorë në një grup biznesmenësh. Nga ana tjetër, Sali Berisha 79-vjeç ende vazhdon me tezat e tij se do të sjellë përsëri demokracinë duke “eliminuar” çdo politikan të ri që kërkon të futet në opozitë për të sfiduar Ramën, në mënyrë që të vazhdojë të qëndrojë i qetë pa u ndëshkuar dhe të vazhdojë paktin e tyre të heshtur politik.

Lidhja me ish-diktatorin

Pakti Sali Berisha-Edi Rama dhe lidhjet midis tyre me ish-diktatorin komunist

Sali Berisha që së fundmi thërret se do të nisë revolucionin për të rrëzuar komunistët në pushtet ka prova të pakundërshtueshme që vërteton se nuk mund ta sjellë demokracinë një personazh që ka patur lidhje shumë të ngushta me vetë diktatorin. Në foton që shikoni, Berisha ka qenë i ftuar në shtëpinë e diktatorit, nga nusja e Enver Hoxhës, Liliana Hoxha, me të cilën kishte miqësi personale. Gjatë këtij takimi, Enver Hoxha e ka përgëzuar personalisht Sali Berishën, për ndihmën që i ka dhënë Lilianës si anëtar i Bordit të revistës “Shkenca dhe Jeta”. Mendohet se ka qenë pikërisht ky takim, të cilit Nexhmije Hoxha i referohet për deklaratën e saj të famshme, se pas takimit me Enver Hoxhën, Sali Berisha nuk lau për dy javë rresht dorën, që mos t’i ikte era e Enverit. Berisha kishte miqësi me Liliana Hoxhën dhe fëmijët e Enverit dhe kjo mjaftonte që ai t’i afrohej herë pas here diktatorit dhe të kishte njëfarë rëndësie në Bllok, pasi jo të gjithë ftoheshin në takimet private të familjes Hoxha.

Pakti Sali Berisha-Edi Rama dhe lidhjet midis tyre me ish-diktatorin komunist

Miqësia e Berishës me fëmijët e Enverit u vërtetua pas publikimit të kësaj fotoje gjatë pushimeve në Pogradec. Fotot me fëmijët e diktatorit në varkë tregojnë se Berisha në fakt, nuk ishte ai antikomunisti i flaktë që shfaqej podiumeve politike, por një njeri që do të bënte gjithçka për të qenë afër udhëheqjes komuniste, qoftë dhe duke përdorur miqësitë me fëmijët e tyre. Pra për të kapur pushtetin Berisha tregoi që në atë kohë se ishte i gatshëm të bënte “pakt” me djallin, ashtu siç po e tregon dhe së fundmi me kryeministrin Rama, me të cilin i ka lidhjet e hershme dhe këtë e tregojnë sërish fotot.

Pakti Sali Berisha-Edi Rama dhe lidhjet midis tyre me ish-diktatorin komunist

Në vitin 1990, Berisha dhe kreu aktual i qeverisë kishin shumë të përbashkëta. Të dy me pardesy, të dy në Partinë Demokratike dhe të dy pedagogë. Kjo është një fotografi e shkrepur, më 22 dhjetor të vitit 1990, atëherë kur Rama dhe Berisha nuk ishin dy “armiqtë e përbetuar” politik. Me ta është edhe i ndjeri Ardian Klosi, mik i Ramës. Foto është bërë në Qytetin Studenti, në mitingun e parë të Partisë Demokratike. Asokohe Edi Rama ishte pedagog në Institutin e Lartë të Arteve, ashtu siç ishte edhe Berisha pedagog në Fakultetin  e Mjekësisë. Edi Rama është një ndër protagonistët e Dhjetorit `90. Ka marrë pjesë aktive në ngjarjet që përgatitën rrëzimin e sistemit komunist, por ka munguar pikërisht atë ditë kur nisi lëvizja studentore për rrëzimin e  komunizmit më 8 dhjetor 1990.

Pakti i tyre i fshehtë

Marrëveshja e tyre e heshtur politike i ka fillesat zyrtarisht që nga viti 2005, kur kreu i qeverisë shqiptare erdhi në krye të Partisë Socialiste. Ky pakt ende vazhdon dhe tani Rama në pozitën e tij të vështirë që ndodhet së fundmi, duke përmendur skandalet që i kanë plasur dhe presionin ndaj SPAK, i ka varur shpresat e mbijetesës në politikë nëpërmjet fuqizimit të kryefoltorisitit. Sa herë që ata kanë nevojë për njëri-tjetrin,shtojnë edhe më shumë akuzat mes tyre. Në këtë rast, Rama e faktorizoi sërish Berishën, i cili publikisht kishte dalë jashtë loje, por në prapaskenë punonte për kreun e qeverisë. Pa hyrë në thellësi të pazareve të tyre, mjaftojmë të shikojmë thjesht favorizimin që iu bën Rama njerëzve të Berishës duke i shpërblyer me tenderë. Më poshtë gazeta ka sjellë një “skaner” të ngjarjeve historike ku dhe njeriu më “naiv” kupton qartë se mes dyshes Rama-Berisha ka patur pazare që qëndrojnë dhe tani. Si fillim po tregojmë faktet që vërtetojnë se mes tyre ka pazare sekrete. Rama ka 10 vite në pushtet dhe deri më tani nuk ka gjetur një vjedhje apo një abuzim të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ta kallëzojë atë penalisht. E përmendim këtë pasi kur kreu i qeverisë shqiptare ishte në opozitë, fliste për akuza të rënda deri edhe te vrasjet për Sali Berishën.

Gërdeci

Le ta fillojmë me Gërdecin. Më 15 mars 2008, në depot e demontimit të municioneve në Gërdec, ndodhi një shpërthim që brenda një kohe të shkurtër u kthye në tragjedi, duke marrë jetën e 26 njerëzve. Kjo ngjarje i dha qeverisë Berisha goditjen më të rëndë gjatë mandatit të parë. Atë ditë kur në Spitalin Ushtarak vinin trupat e gjakosur nga shpërthimi i municioneve në Gërdec, kryetari i PS-së Edi Rama, i shoqëruar nga deputetë të partisë së tij, nga më kritikët ndaj qeverisë, siç ishte Erjon Braçe, u shfaqën në krah të Berishës për ta mbështetur në këtë situatë të rëndë që po kalonte vendi. Rama vendosi dorën e tij mbi shpatullat e Sali Berishës dhe gati sa nuk i fshiu lotët. Mesazhi ishte i qartë: “Jemi bashkë në krime dhe në vjedhje, në kapjen e drejtësisë dhe në shfajësime, në alibi dhe manovra dhe asgjë nuk do të ndodhë. Mos u mërzit pasi asgjë nuk do të ndodhë”. Dhe në fakt ashtu u bë. Për gjithë këto vite, Rama nuk lëvizi gishtin për ndëshkimin e Berishës.

Pakti Sali Berisha-Edi Rama dhe lidhjet midis tyre me ish-diktatorin komunist

Marrëveshja e 2008

Nga ana tjetër, mesnatën e 21 prillit 2008, Sali Berisha kryeministër e kryetar i PD dhe Edi Rama kryebashkiak i Tiranës e kryetar i PS, bënë një pazar privat për ndryshimin e Nenit 68 të Kushtetutës, duke krijuar sundimin personal në parti, parlament e qeveri. Berisha e Edi Rama, miq, ortakë e bashkëpunëtorë të hapur e të maskuar, në shumë fshehje, mbrojtje e amnisti krimesh dhe aferash korruptive të njëri-tjetrit, sajuan seancë të posaçme parlamentare, për të caktuar në Kushtetutë, që deputetët, nuk duhet t’i zgjedhë populli, por vetëm kryetarët e partive me listë dhe këtë krim anti-parlamentar, deputetë-lolot e PD-PS e votuan për 6 minuta.  Bëhet fjalë, për Ligjin Nr. 9904, datë 21.04.2008, miratuar nga Bamir Topi, me Dekret Nr. 5700, datë 06.05.2008, me të cilin prej vitesh, deputetët nuk propozohen, nuk miratohen e nuk përzgjidhen nga populli, por nga Sali Berisha, Edi Rama, Ilir Metaj, Monika Kryemadhi, dhe kryetarët e partive, që marrin pjesë në zgjedhje. Ky pazar anti-kushtetues i ka kthyer partitë, shtetin, qeverinë, presidencën e parlamentin, në “kulla” private e pazare hajdutësh dhe shpella krimi, u kundërshtua nga Ilir Metaj me 11 orë grevë urie e sulm me vazo dhe karrige kundër Sali Berishës e Jozefina Topallit, por pasi e “shijoji” këtë ligj, heshti dhe nuk pranon anulimin e tij. E veçanta e pazarit Berisha-Rama, është hipokrizia e Edi Ramës ndaj krimeve monstruoze e ç’njerëzore të Sali Berishës, që provohet nga fakti, se Rama e ka pranuar, firmosur e votuar këtë ligj famëkeq, në datën 21 prill 2008, vetëm 36 ditë, pas tragjedisë së Gërdecit me 26 viktima, të vrarë në biznesin kriminal shtetëror të familjes “Berisha”.

Pakti Sali Berisha-Edi Rama dhe lidhjet midis tyre me ish-diktatorin komunist
Pakti Sali Berisha-Edi Rama dhe lidhjet midis tyre me ish-diktatorin komunist

“21 Janari”

Ngjarja që të gjithë menduan se Berisha do të shkonte në burg ishte 21-janari, me vrasjen e 4 protestuesve përpara Kryeministrisë. Deklaratat e Ramë se kur të vinte në pushtet do e çonte në burg Berishën i bënë njerëzit që të besonin se për të ishte fundi. Edhe pse ka tre mandate, qe qëndron në pushtet edhe prej sakrificës sublime të Ziverit, Faikut, Hekuranit dhe Aleksit, por nuk të hetoi kurrë ashtu si pati premtuar para gjithë shqiptareve. Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit, Garda e Republikës, Shërbimi Sekret Shtetëror janë nën kontrollin e Ramës prej 10 vitesh, por çuditërisht nuk gjetën dot asnjë provë për të ndëshkuar vrasësit e 21 janarit.

Loja me PD

Rama me dyshen Berisha-Meta, kishin si qëllim denigrimin e PD për të goditur Lulzim Bashën. Në tentativat për të nxjerrë jashtë loje Bashën u fut dhe kryeministri Rama duke ndihmuar Berishën sa herë kur ky i fundit kishte nevojë. Këtë gjë e nxori zbuluar skandali i korruptimit të ish-zyrtarit të lartë të FBI, Charles McGonigal, ku është përfshirë dhe pala shqiptare. Hapja e kësaj dosjeje ka krijuar një perceptim tjetër në Tiranë për Lulzim Bashën. Deri dje ish-kryetari i Partisë Demokratike akuzohej se kishte marrë fonde nga një oligark rus, por në dritën e skandalit të ri të ish-zyrtarit të FBI, del se gjithçka ishte kurdisur nga qeveria shqiptare për të shkatërruar PD-në e zotit Basha. Në ndihmë të Ramës ka qenë ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-presidenti Ilir Meta. Berisha kërkonte të përdorte si mburojë Partinë Demokratike në luftën e tij personale me amerikanët, por edhe ekzistencën e tij në politikë. Nga ana tjetër, Meta ka ndihmuar Berishën për të rrëzuar Lulzim Bashën në mënyrë që në fund të rrëmbenin opozitën. Ramës i interesonte dalja jashtë loje e Bashës, në mënyrë që të ketë përballë Sali Berishën, aleatin e tij “të fshehtë”. Gjithë këto pazare morën fund në 3 mars dhe kjo ishte falë ndërhyrjes së amerikanëve.

Kapja e drejtësisë

Marrëveshja e Berishës dhe Ramës përfshinte më kryesoren, kapjen e drejtësisë. Të dy kanë patur në duar fuqinë për të nisur hetimet për njëri-tjetrin me skandale që kanë plasur sheshit, por gjithmonë janë mbyllur pa zhurmë. Së fundmi të dy janë alarmuar nga drejtësia e re me presionin e SHBA nga pas. Pra bë ndihmë të Ramës ka qenë gjithmonë ish-kryeministri Sali Berisha, dy politikanë që po mbajnë njëri-tjetrin në skenën gjysmë të rrëzuar të politikës, me shpresën se pa njërin, as tjetri nuk do e ketë më të gjatë.

Oligarkët mes tyre

Sali Berisha për hallin e të birit, Shkëlzenit, megjithëse thotë se ka nisur revolucion kundër Edi Ramës, në asnjë rast nuk ka akuzuar, madje as përmendur emrin e oligarkëve me të cilën ndan pushtetin kryeministri. Arsyeja është fare e thjeshtë: Berisha, përmes të birit, Shkëlzenit, mbështetet në “revolucionin” e tij nga këto biznese që marrin miliona euro nga tenderat e qeverisë. Mjafton të shohësh faktet dhe kupton lidhjen e fortë që ka Berisha me Ramën, përmes bizneseve që e mbështesin me miliona euro me të cilat ai mban peng Partinë Demokratike dhe blen median për të shkatërruar PD. Faktet tregojnë se fill pas lajmërimit të protestës hapëse të “revolucionit” Rama e ka zgjidhur qesen për Shkëlzen Berishën duke i dhënë prona e tendera bizneseve që financojnë Zenin. Kulla 64 katëshe te gropa e Hajdin Sejdisë, një personazhi simbol i mashtrimit në Tiranën e viteve 90 ku SPAK ka nisur hetimet, është simboli i një afere midis pasardhësve të Hajdinit, që për fat të keq kontrollojnë shtetin në çdo qelizë. Pas kësaj kulle nuk është një person i vetëm. Kjo godinë ka qenë bingo që Saliu dhe Edi Rama ja bënë dhuratë vetvetes për të garantuar një aset ekonomik të ditëve të zeza që po trokasin mbi ta. Brenda kësaj kulle gjigante me vlerë marramendëse janë të përfshirë të gjithë oligarkët të krijuar ndër vite nga dyshja Rama-Berisha.  

Go to TOP