Formohet Grupi Konsultativ i cili do të ndihmojë Hajrulla Çekun gjatë mandatit të tij të MKRS-së

Tanimë ka nisur plan-programi për Strategjinë Kombëtare për Zhvillimin e Sportit, ndërkaq së shpejti do të fillojë edhe rishikimi i Ligjit për Sportin.

Po ashtu, gjatë ditëve në vazhdim do të hyjë në fuqi Udhëzimi Administrativ për licensimin e federatave, kurse do të finalizohet edhe programi për masivizimin e sportit, me fokus te fëmijët dhe të rinjtë.

Përmes një komunikate zyrtare në profilin e tij në “Facebook”, ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, bëri të ditur që do të ketë projekte për zhvillim të infrastrukturës sportive.

“Do të bëjmë zgjidhje për projektet e infrastrukturës sportive që kanë histori të palavdishme, ndërsa do t’i nisim projektet e reja shumë të nevojshme. Krahas rritjes së mbështetjes financiare për federatat e sportit, jemi duke e zhvilluar modelin për financim të qëndrueshëm të klubeve të sportit”, shkruante Çeku në “Facebook”.

Ndërkaq, në kuadër që të zbatohet plan-programi i MKRS-së, kjo e fundit ka mobilizuar të gjitha kapacitetet e brendshme, duke punuar së bashku me partnerët e ngushtë si Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK), ministritë përkatëse të linjës, federatat e sportit, profesionistët e Kosovës dhe ata të jashtëm.

Kurse, për t’iu dalë në ndihmë dhe për t’i shtuar kapacitetet zbatuese, sot është themeluar Grupi Konsultativ për Sportin, që në përbërje ka profesionistë të dëshmuar të sportit.


Grupi Konsultativ për Sportin përbëhet nga:

1. Edmond Azemi, Drejtor sportiv në KB Prishtina

2. Uta Ibrahimi, Alpiniste

3. Bylbyl Sokoli, Profesor universitar, njohës i futbollit

4. Jeton Oruqi, Nën-kryetar i Federatës së Ping-pongut të Kosovës

5. Agon Fehmiu, Gazetar i sportit

6. Njomza Emini, Kryetare e Komitetit Paralimpik të Kosovës

7. Nazmi Paqarada, Njohës i basketbollit, ish Sekretar i Përgjithshëm në FBK

8. Besim Aliti, Sekretar i Përgjithshëm në Komitetin Olimpik të Kosovës

9. Besnik Thaqi, Nën-kryetar i Federatës E-Sports Kosova

10. Resmije Juniku, veterane e sportit, ish basketbolliste dhe trajnerë

Go to TOP