Florent Boshnjaku sërish drejtor artistik i Festivalit të Këngës të RTK-së

Një nga emrat eminentë të krijimtarisë muzikore vendore, kompozitori Florent Boshnjaku do të jetë sërish drejtor artistik i Festivalit të Këngës të Radiotelevizionit të Kosovës.

Njësoj sikurse në dy edicionet paraprake, Boshnjaku do të drejtojë artistikisht edhe “Fest 3”, përgatitjet për të cilën veçse kanë nisur.

Me përvojën dhe profesionalizmin dhjetëra vjeçar, kompozitori do të jetë në krye të maratonës muzikore duke përfshirë pjesën garuese dhe pjesën artistike mysafire.

Në ndërkohë vazhdon të jetë e hapur gara për pjesëmarrje në edicionin e tretë të ngjarjes. Në thirrjen e publikuar, ftohen këngëtarë, kompozitorë, tekstshkrues nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe diaspora që të bëhen pjesë e ‘FEST 3’.

Krijuesit e veprave muzikore mund t’i dorëzojnë këngët pjesëmarrëse përmes web faqes zyrtare të RTK-së, www.rtklive.com duke plotësuar formularin e aplikimit pasi të shtypni butonin APLIKO dhe ngarkuar veprën muzikore në formatin wav.

Aplikimi do të mbetet i hapur deri më 31 gusht 2025, në orën 23:59.

Vitin e kaluar fituesi i edicionit të dytë ka qenë Endrit Krasniqi, i cili mori trofeun “Diamanti blu” me këngën “Flas me gjethen”. Kënga është me tekst dhe kompozim të Bekim Këpuskës. Këngëtari fitues, në një intervistë dhënë për RTK-në pati dhënë se kjo këngë shpërfaq fuqinë e gruas, specifikisht e një nëne e cila jeton prindërimin në moshë të hershme.

Ndërkaq në edicionin e parë “La Fazani” me këngën “Oj Kosovë” kishte qenë fituesi i ngjarjes kur ishte organizuar për të parën herë. Ai kishte fituar trofeun me simbolin e Kosovës që shkëlqen si dhe medaljoni me shqiponjën e flamurit kombëtar. I njëjti artistë ka marrë edhe Çmimin e Kryeqytetit.


Go to TOP